Neza: Protesta “Flamingo” mbetet nga më të shëndetshmet. Berisha nuk e ka sulmuar protestën
Analisti Sami Neza vlerësoi se protesta e njohur si “Flamingo”, pavarësisht problematikave që ka shfaqur gjatë zhvillimit të saj, mbetet një nga protestat më të shëndetshme të organizuara në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, Neza u shpreh se qëndrimi i kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ka qenë një sulm ndaj protestës në tërësi, por një reagim ndaj disa problematikave të veçanta që janë shfaqur gjatë saj.
Sipas Nezës, ishte e pritshme që Berisha në një moment të caktuar të reagonte ndaj disa elementëve të protestës.
“Është normale, pritej që Berisha dikur në një moment të caktuar, madje unë mendoj se mund ta bënte edhe më herët. Domethënë mund të atakonte problematikat që kishte protesta Flamingo.”
Analisti theksoi se megjithëse protesta kishte dobësitë e saj, ato janë neutralizuar nga njëra-tjetra, duke bërë që në fund të mbetet vlera e protestës si lëvizje qytetare.
“Problematikat reduktojnë njëra-tjetrën dhe në fund ngelet protesta që është e shëndetshme. Praktikisht ky është rezultati. Domethënë protesta Flamingo, me gjithë problematikat që kishte, ngelet një nga protestat më të shëndetshme në Shqipëri.”
Në analizën e tij, Neza argumentoi se Berisha nuk e ka goditur protestën në tërësi, edhe pse ajo përfshinte segmente që mbanin qëndrime kritike edhe ndaj opozitës.
“A e ka sulmuar Berisha protestën në tërësi? Nuk e ka sulmuar.”
Neza vlerësoi se ajo mbetet ende pjesë e debatit publik dhe nuk mund të konsiderohet e harruar.
“Protesta e flamingove nuk mund të harrohet. Nuk është harruar. Fakti që ende po flasim për të e tregon këtë. Thjesht tani jemi në një fazë tjetër të dinamikave të protestës dhe është normale të bëhet një analizë e asaj që ndodhi.”
Ai kujtoi se në fazat e para pati rezerva për shkak të rënies së pjesëmarrjes, por sipas tij, lideri i opozitës zgjodhi të mos e përshkallëzonte debatin.
“Nëse vendosim veten në pozicionin e kryetarit të opozitës, në një protestë që është plotësisht kundër qeverisë por që ka edhe segmente që artikulojnë kundër opozitës, është krejt normale që ai të mbajë një qëndrim. Mendoj se Berisha ka mbajtur qëndrime të buta dhe në një farë mënyre ka mbyllur veshët përballë kësaj.”
Sipas Nezës, arsyeja kryesore ishte se protesta arrinte të dëmtonte politikisht qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Me gjithë kostot që mund t’i krijonte atij personalisht dhe Partisë Demokratike, ajo protestë dobësonte Edi Ramën dhe qëllimi kryesor ishte dobësimi i Edi Ramës. Kjo ka pasur rezultat dhe e ka arritur.”
Analisti shtoi se një drejtues tjetër politik mund të kishte reaguar shumë më herët ndaj zhvillimeve brenda protestës.
“Në këtë kontekst Berisha është tërhequr nga ky debat. Një kryetar tjetër partie do ta kishte bërë këtë debat shumë më herët.”
Duke sjellë në vëmendje rastin e Adriatik Lapajt, Neza tha se ai mund të ishte një nga zërat kryesorë të protestës, por gradualisht u distancua prej saj.
“Praktikisht kjo protestë vinte nga një protestë tjetër e Adriatik Lapajt përpara Kryeministrisë dhe ai nuk bëri debat publik, por nuk u duk më publikisht te protesta. Ky ishte një lloj ndëshkimi që po i bënte protestës.”
Neza argumentoi se Berisha mbajti një pozicion neutral për pjesën më të madhe të kohës dhe e kritikoi protestën vetëm pasi ajo humbi vrullin e saj fillestar.
“Berisha e mbështeste vazhdimisht me deklarata, por nuk e atakoi. E atakoi atëherë kur protesta pothuajse nuk arriti të mblidhej përpara Kryeministrisë.”
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.