Nga interpelanca urgjente me ministrin Demo te Reforma Territoriale, ja çfarë do të diskutohet sot në Kuvend
Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë këtë të enjte (15 tetor) seancën e radhës plenare, ku në fokus do të jetë interpelanca urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Sipas rendit të ditës, seanca do të nisë në orën 10:00, ku përveç interpelancës me ministrin Demo, deputetët do të zhvillojnë edhe dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Në seancë është parashikuar gjithashtu një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
Përveç interpelancave, Kuvendi do të shqyrtojë disa projektligje që lidhen me sistemin financiar, të drejtat e autorit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në rendin e ditës janë përfshirë:
Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave.
Ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit.
Ratifikimi i marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.
Ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to.
Projektligji për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.
Reforma Territoriale, pjesë e rendit të ditës
Një tjetër çështje e rëndësishme është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar, të zhvilluar më 8 tetor, dhe njoftimet përkatëse. Në fund të rendit të ditës janë parashikuar diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.