Nis me tensione seanca në Kuvend, deputetët e PD me pankarta “Me studentët”, bllokojnë foltoren
Seanca plenare e kësaj të enjteje ka nisur me tensione në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e Partisë Demokratike kanë protestuar që në nisje të punimeve, duke goditur tavolinat dhe bllokuar foltoren, ndërsa mbanin në duar pankarta me mbishkrimin “Me studentët”.
Teksa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nisi të lexojë procesverbalin e seancës së kaluar, deputetët demokratë filluan të godisnin tavolinat në shenjë proteste. Më pas, ata u ngritën në këmbë dhe bllokuan foltoren.
Në rendin e ditës së kësaj seance janë përfshirë një sërë çështjesh që lidhen me ekonominë, financat, klimën e biznesit dhe mbrojtjen e konsumatorit. Deputetët pritet të shqyrtojnë projektligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, atë “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, si dhe projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit.
Një tjetër çështje e parashikuar është interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa. Gjatë seancës do të diskutohet gjithashtu akti normativ për një shtesë në ligjin për akcizat, në kuadër të çështjeve me karakter ekonomik dhe financiar.
Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe ndryshimet në legjislacionin që rregullon veprimtarinë e bizneseve dhe funksionimin e shoqërive tregtare. Konkretisht, deputetët do të shqyrtojnë ndryshimet në ligjin për Qendrën Kombëtare të Biznesit, ligjin për regjistrimin e biznesit dhe ligjin për tregtarët dhe shoqëritë tregtare. Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektligji për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare.
Një tjetër çështje që pritet të marrë vëmendjen e deputetëve është marrëveshja e bashkëpunimit financiar ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë për vitin 2024. Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, e cila lidhet me programin për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike shqiptare, sipas parimit të eficiencës së energjisë.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.