Nuk ka më radhë në banka? Miliona transferta nga telefoni
Veprimet e bankingut në distancë (home banking), nëpërmjet internetit ose telefonit celular, u rritën përsëri me ritme dyshifrore në 3-mujorin e parë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për 3-mujorin e parë të këtij viti, numri i transaksioneve në distancë arriti në 3.06 milionë, në rritje me 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera totale e transfertave të kryera nëpërmjet internet banking arriti në 528.4 miliardë lekë, pothuajse 31% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Koncepti i home banking përfshin ato veprime bankare që urdhërohen pa qenë nevoja që klienti të shkojë fizikisht në bankë, që nënkupton përdorimin e internet banking ose aplikacioneve celulare të mbështetura në shërbimin e internetit.
Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri i ofrojnë të gjitha ofrojnë shërbimet e banking në distancë, çka nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave.
Transaksionet nëpërmjet kanaleve digjitale po dominojnë në mënyrë të qëndrueshme strukturën e transfertave të kreditit të kryera nëpërmjet sistemit bankar. Për 3-mujorin e parë të 2026-ës, transfertat nga kanalet digjitale përbënin 67% të numrit total të transfertave bankare, në rritje të mëtejshme nga pesha prej 64% që kishin vitin e kaluar.
Për çdo individ apo subjekt që zotëron një llogari bankare, pjesa dërrmuese e pagesave dhe transfertave tashmë mund të kryhet nëpërmjet internetit, pa qenë më nevoja për të shkuar fizikisht në bankë.
Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga lehtësitë tarifore të vendosura nga Banka e Shqipërisë, që parashikon komisione më të ulëta për transfertat e kryera nëpërmjet kanaleve elektronike, krahasuar me ato që kryhen në degë.
Në rregulloren e re “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”, miratuar në shtator të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka miratuar ndryshime që shtojnë edhe më shumë incentivat për kanalet elektronike të pagesave.
Për pagesat në nisje të iniciuara në formë elektronike, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 40 mijë lekë, bankat nuk duhet të aplikojnë komisione. Më parë, vlera maksimale e përjashtuar nga komisionet për transfertat e kryera në formë elektronike (nëpërmjet shërbimeve të internet banking ose mobile banking) ishte 20 mijë lekë.
Për transfertat mbi 40 mijë lekë, deri në vlerën e 10 milionë lekëve, që kryhen në rrugë elektronike komisioni maksimal i lejuar parashikohet në nivelin 0.005% të vlerës së transferuar.
Ndërsa, për transfertat në formë letër (që kryhen në degë) me vlerë deri në 10 milionë lekë, komisioni maksimal i lejuar do të jetë 0.01%.
Në fund të vitit 2025, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 1.95 milionë, në rritje vjetore me 44%. Vlerësohet se tashmë 49% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 39% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2024 dhe më pak se 20% që ishte në vitin 2020.
Afërsisht 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve.
Numri i llogarive të lidhura me internetin për individët u rrit me 45%, ndërsa për llogaritë e bizneseve rritja ishte 39% më shumë krahasuar me një vit më parë.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.