“Nuk kemi një projekt të firmosur”/ Ibrahimaj: Investimi 4 miliardë euro në Zvërnec mund të hapë 30 mijë vende pune
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka folur për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, për projektin e Zvërnecit, i cili ka shkaktuar protesta masive.
Ibrahimaj tha se projekti i parë është rrëzuar pasi ka patur dendësi ndërtimi dhe për këtë arsye po punohet për një projekt të dytë dhe se studiuesit mjedisor po shohin impaktin në mjedis.
Ajo tha se ende nuk ka një projekt të firmosur, teksa nënvizoi se ky investim do të hapë rreth 20 mijë vende pune të përkohshme, njerëz që do të angazhohen në ndërtimin e projektit, por edhe 10 mijë vende pune permanente.
“Projekti në fakt është ajo që kemi thënë, na është prezantuar në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit një projekt që nuk është miratuar pasi nuk plotësonte kushtet dhe kriteret që kishim për zhvillimin e zonës. Kishte intensitet shumë të lartë, prekte lagunën dhe për këto arsye e refuzuam. Projekti erdhi përsëri dhe kemi dhënë një miratim të pjesshëm, për rrethim dhe për shtrim disa rrugësh provizore, të cilat do t’i lejojnë studiuesve për të bërë studim mjedisor të saktë, që pastaj do të sjellë një rezulatt për një projekt, të diskutuar dhe miratuar sipas standardeve.
Nuk kemi një projekt të firmosur. Kemi një projekt të dorëzuar që është kthyer mbrapsht, për t’u përmirësuar.
Qëllimi është të kemi zhvillim të qëndrueshëm.
4 miliardë euro është një vlerë, e projektit të parë të dorëzuar, vullneti i investitorëve për të investuar kap vlerën 4 miliardë euro. Janë rreth 15% e GDP, vlerë e madhe që vjen në vend dhe nuk mund të anashkalohet. Nuk është vlerë që hyn vetëm në sektorin e turizmit, por sipas studimeve ndërkomëbtare dhe tonat, efekti multiplikator i një investimi në turizëm, jep efekt zinxhir në bujqësi, tregti, transport. Është efekt që në kohë të shpejtë, jep gati dyfishim të vlerës së investimit. Kjo përkthehet në vende pune. Bëhet fjalë për rreth 20 mijë vende pune të përkohshme, njerëz që do të angazhohen në ndërtimin e projektit, por edhe 10 mijë vende pune permanente”, tha Ibrahimaj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.