Phota Labs, aplikacioni me inteligjencë artificiale që i kthen fotot e zakonshme në foto profesionale
Aplikacioni i ri për iOS premton foto me pamje profesionale, duke ruajtur autenticitetin e personave në çdo transformim.
Phota Labs është një aplikacion i ri për iOS që funksionon si një asistent personal fotografik me inteligjencë artificiale: ai i kthen fotot e zakonshme në imazhe me pamje profesionale, duke ruajtur autenticitetin e tyre, siç njofton TechCrunch.
Startup-i, i mbështetur nga a16z, u themelua nga Cecilia Zhang dhe Zach Xia, të cilët u njohën te Adobe, ku punuan në produkte të fotografisë kompjuterike, përfshirë Project Indigo, Lightroom dhe Photoshop. Në vend të redaktimit klasik, aplikacioni rregullon vetë shkrepjen ose foton e kapur keq, duke ruajtur pamjen natyrale të personave, ndërsa teknologjia e personalizimit mëson identitetin e personave për t’i ruajtur në çdo transformim.
Përdoruesit mund të zgjedhin stile nga redaktime të lehta deri te transformime dramatike, si lente fish-eye, kënde alternative dhe perspektiva të tjera. Ndër shembujt janë një foto grupi me kënd të gjerë që kthehet në një portret më të ngushtë, apo një selfie që kthehet në një foto të rregullt. Fotot e redaktuara mbajnë një watermark të padukshëm që i identifikon si të ndryshuara me inteligjencë artificiale kur ndahen në platforma sociale.
Kompania mblodhi vitin e kaluar një raund seed prej 5.6 milionë dollarësh, të udhëhequr nga a16z. Aplikacioni nis si falas, për të ndërtuar bazën e përdoruesve, me një model freemium më vonë, ndërsa në të ardhmen planifikohet edhe një aplikacion për Android. Fillimisht ai synon njerëzit që bëjnë shumë foto për rrjete sociale, e me kohë edhe prindër, gjyshër e të tjerë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.