DUBLIN – Zelensky: Ukraina nuk heq dorë nga Donbasi, SHBA-ja të ushtrojë presion mbi Rusinë
– Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e lëshimeve territoriale në rajonin e Donbasit, duke theksuar se Ukraina nuk do të heqë dorë nga territoret e saj sovrane për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, sipas “Kyiv Post”.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin irlandez, Micheál Martin, në Dublin, Zelensky deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e ngrenë vazhdimisht çështjen e Donbasit në negociatat për një marrëveshje paqeje.
“Pala amerikane e ngre shumë shpesh çështjen e Donbasit, një pjesë e territorit tonë ukrainas. Ata mendojnë se për t’i dhënë fund kësaj lufte, ne duhet të largohemi nga territoret tona. Nuk mund të flitet në këtë mënyrë me ne, një vend i pavarur dhe sovran”, deklaroi Zelensky.
Ai bëri të ditur se Uashingtoni po shqyrton propozime alternative për kapërcimin e ngërçit në negociata, por nuk pranoi të zbulonte hollësi rreth tyre.
Sipas presidentit ukrainas, përparimi drejt një marrëveshjeje do të varet kryesisht nga gatishmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të ushtruar presion mbi Moskën dhe jo mbi Kievin.
“Gjithçka varet nga gatishmëria e palës amerikane për të ushtruar presion mbi rusët apo jo”, theksoi ai.
Zelensky shprehu gjithashtu skepticizëm për gatishmërinë e Rusisë për të bërë kompromis, megjithëse tha se ekziston ende shpresë për përparim në bisedime.
Ai vlerësoi se administrata amerikane duket e vendosur të arrijë rezultate deri në fund të vitit 2026.
Ndërkohë, deklarata e Zelensky vjen në një moment të rëndësishëm diplomatik, pasi të dërguarit specialë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, mbërritën sot në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.
Takimi në Moskë pasoi dy ditë negociatash mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Abu Dabi, të cilat përfunduan pa përparim të rëndësishëm për çështjen territoriale.
Megjithatë, bisedimet prodhuan një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve të luftës.
Përfaqësuesit e të dyja palëve, pranuan se mbeten dallime të konsiderueshme për kushtet e përfundimit të konfliktit.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit mbetet kontrolli mbi Donbasin, rajon në lindje të Ukrainës, ku Rusia kërkon që Kievi të tërhiqet nga territoret që ende kontrollon.
Nga ana e tij, kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, theksoi se Moska nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me pretendimet territoriale në Donbas.
Garancitë e sigurisë dhe roli i Evropës
Zelensky theksoi se çdo marrëveshje paqeje duhet të shoqërohet me garanci konkrete sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat do të pengonin një agresion të ri rus.
“Ne kemi nevojë për garanci sigurie nga Amerika, jo nga Rusia”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai kërkoi gjithashtu që vendet evropiane, të përfshihen drejtpërdrejt në negociatat e ardhshme, duke argumentuar se vendimet për sigurinë e kontinentit nuk mund të merren pa pjesëmarrjen e tyre.
Zelensky ndodhet në Dublin për takimin e Komunitetit Politik Evropian, ku marrin pjesë më shumë se 40 liderë evropianë, me fokus sigurinë e kontinentit dhe luftën në Ukrainë.
Gjatë fjalës së tij në samit, ai paralajmëroi se Evropa duhet të jetë vigjilente ndaj përpjekjeve të Rusisë, për të ndryshuar arkitekturën e sigurisë në kontinent.
Presidenti ukrainas u bëri thirrje vendeve evropiane të forcojnë sanksionet ndaj Rusisë, veçanërisht ndaj industrisë së prodhimit të armëve, dronëve dhe raketave balistike, si dhe ndaj flotës që transporton naftën ruse.
“Na duhen sanksione të forta kundër gjithçkaje që Rusia përdor për të prodhuar raketa balistike, dronë sulmues dhe sisteme komunikimi”, theksoi ai.
Zelensky kërkoi gjithashtu vazhdimin e presionit ndaj bankave dhe institucioneve financiare ruse, duke argumentuar se kufizimet ekonomike, ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e Moskës për të kërcënuar Ukrainën dhe vendet e tjera evropiane.
Ai shprehu bindjen se negociatat mund të sjellin rezultate konkrete, përpara fundit të vitit 2026, por paralajmëroi se çdo marrëveshje duhet të garantojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës./



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.