POLONI – Të shtëna me armë në sheshin e Krakovit, të paktën 6 viktima dhe 15 të plagosur
– Të paktën gjashtë persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën pasi një person i armatosur hapi zjarr në sheshin kryesor të qytetit të Krakovit, dje pasdite në jug të Polonisë, sipas “Reuters”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në sheshin historik “Main Market”, një nga zonat më të frekuentuara të qytetit dhe një destinacion i njohur turistik.
Sipas policisë, një person hyri me automjet në shesh dhe nisi të qëllonte në drejtim të njerëzve që ndodheshin aty. Të shtënat shkaktuan panik, ndërsa qytetarët dhe turistët u larguan me vrap në rrugicat përreth, duke kërkuar strehim në dyqane dhe restorante.
Gjashtë viktimat janë katër gra dhe dy burra. Mes tyre ishte edhe një shtetas britanik. Autoritetet polake thanë se pesë shtetas të huaj ishin gjithashtu mes personave të plagosur.
Policia ndërhyri për të ndaluar sulmuesin, i cili u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit me efektivët dhe më pas u dërgua në spital. Dy efektivë policie mbetën të plagosur, njëri prej tyre në gjendje kritike.
Sipas zëdhënëses së policisë së Krakovit, Katarzyna Cisło, autori ishte i veshur me rroba të stilit ushtarak dhe përdori një armë zjarri të gjatë, të ngjashme me ato ushtarake.
Autoritetet gjetën gjithashtu armë të tjera dhe një sasi të konsiderueshme municionesh në automjetin e tij.
Ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierwinski, deklaroi se i dyshuari ishte një 25-vjeçar polak, me bindje shumë radikale dhe ultranacionaliste, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë lidhjet e mundshme të sulmit me ideologjinë e ekstremit të djathtë.
Sipas autoriteteve, deri tani nuk ka prova për përfshirjen e personave të tjerë dhe gjithçka tregon se autori ka vepruar i vetëm.
Disa orë pas sulmit, kryeministri polak, Donald Tusk, njoftoi se autoritetet gjetën trupat e pajetë të tre personave në banesën e të dyshuarit, në qytetin Ostrowiec Swietokrzyski, rreth 150 kilometra larg Krakovit.
Viktimat, dy gra dhe një burrë, dyshohet se janë familjarë të afërt të autorit.
“Po përballemi me akte të tjera të kësaj tragjedie”, deklaroi Tusk, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi rrethanat e vdekjes së tyre.
Kryeministri shkoi në Krakov pas ngjarjes dhe e cilësoi sulmin si një akt terrorizmi, duke theksuar se vendi nuk kishte përjetuar më parë një ngjarje të tillë me përmasa kaq të rënda.
Ministri i Mbrojtjes e përshkroi gjithashtu sulmin si një akt terrori.
Polonia shpall zi kombëtare
Presidenti polak, Karol Nawrocki, njoftoi dy ditë zie kombëtare, më 8 dhe 9 nëntor, në nderim të viktimave.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Krakovit, Łukasz Gibała, shpalli zi zyrtare në qytet deri të mërkurën dhe premtoi se qyteti do të vijojë të mirëpresë vizitorët, pavarësisht tragjedisë.
“Sheshi do të na përkasë sërish neve”, deklaroi ai në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale.
Pas sulmit, autoritetet shtuan masat e sigurisë edhe në kryeqytetin Varshavë, duke vendosur barriera rrugore dhe duke përforcuar kontrollet në zonat kryesore të qytetit.
Të shtënat masive me armë zjarri janë të rralla në Poloni, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, me rreth 38 milionë banorë.
Megjithatë, vendi është përballur kohët e fundit me disa episode dhune. Në mesin e tetorit, tre sulme në shkolla në provincën Mazovia, brenda katër ditësh, shkaktuan një viktimë dhe disa të plagosur, mes tyre edhe fëmijë.
Sulmi në Krakov konsiderohet më vdekjeprurësi në Poloni që prej rënies së komunizmit në vitin 1989. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.