Prokurimet publike, Rama: Shqipëria kalon mesataren europiane në disa tregues – Tv Klan
11 maj 2026 – Kryeministri Edi Rama dhe Negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta (Shahollari), në konferencë për mediat mbi zhvillimet kryesore në fushën e prokurimit publik.
Rama u ndal te disa elementë lidhur me këtë fushë, duke theksuar se Shqipëria paraqitet me rezultate shumë të mira, krahasuar me disa vende anëtare të BE-së.
“Nëse e vendosim në kontekst pozicionin e vendit tonë në indikatorët kryesorë që përcakton BE për konkurrueshmërinë, po të shohim tabelën, nëse në mesatare kontratat me një ofertues të vetëm janë 32.3% të kontratave në vendet e BE-së, për Shqipërinë ato janë në masën 23.5%. Nëse në listën e vendeve anëtare ka shumë vende që fillojnë nga 57% e zbresin deri në 38%, Shqipëria është midis tyre dhe vendeve si Suedia apo Gjermania. Vendi ynë është mbi këto, me shumë pak pra, 23.5%.
Edhe në numrin e ofertuesve për procedura, që raporti e përcakton si 3.2 ofertues, Shqipëria është me 3.7 ofertues mesatarisht dhe më tutje në Shqipëri, në vitin 2025, numri i prokurimeve publike që janë mbyllur me fitues dhe kanë pasur vetëm një ofertues është 12%, ndërkohë që mesatarja e BE-së është 14%.
Të gjitha këto nuk thonë asgjë më shumë e asgjë më pak se fakti që Shqipëria është në një fazë shumë të avancuar të përparimit në këtë fushë dhe, nga ana tjetër, në pozicionin e saj në tryezën e negociatave me BE”, deklaroi Rama.
Nga ana tjetër, Kashta rreshtoi vlerësimet ndërkombëtare për vendin tonë në vitin 2025, ku theksoi se kapitulli i prokurimeve ka qenë vetëm me kushte mbylljeje nga ana e BE-së. Ajo shtoi se aderimi i Shqipërisë në Marrëveshjen qeveritare të Prokurimit Publik, nën koordinimin e BE-së, përbën një arritje të rëndësishme, pasi BE është shprehur pa rezerva se Shqipëria është gati të bëhet pjesë e marrëveshjes me Organizatën Botërore të Tregtisë, duke u kërkuar palëve të shprehin miratimin.
Sa i takon vlerësimeve, u ndal fillimisht te raporti i SIGMA-s, mbi sistemet e prokurimit publik në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria pozicionohet ndër vendet me performancë të lartë në rajon në disa nga komponentët kryesorë të sistemit të prokurimit publik, duke shënuar vlera të krahasueshme apo më të larta se mesatarja rajonale në disa tregues.
Rezultate të forta ka në cilësinë e kuadrit ligjor dhe në efikasitetin e sistemit të prokurimit, duke u renditur në nivele të ngjashme me ose mbi disa vende të rajonit si Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe Serbia në disa indikatorë specifikë.
Më tej, u ndal te raporti final i vlerësimit të shpenzimeve publike dhe llogaridhënies financiare (PEFA) për Shqipërinë, i publikuar nga Banka Botërore në vitin 2025. Këtu, vihet re një përmirësim i ndjeshëm në vlerësimin e përgjithshëm të prokurimit publik, ku treguesi PI-24 “Prokurimi Publik” është ngritur nga niveli B+ në nivelin A.
Në mënyrë të veçantë, disa komponentë kryesorë si monitorimi i prokurimit dhe aksesi i publikut në informacion mbeten në nivelin më të lartë, ndërsa metoda e prokurimit dhe menaxhimi i ankesave reflekton përmirësim të dukshëm të standardeve të transparencës dhe efikasitetit.
Kashta bëri me dije se synim kryesor mbetet ky:
Brenda gushtit të këtij viti, të trajnojmë dhe certifikojmë të paktën një përfaqësues për çdo autoritet kontraktor.
Lajmi në përditësim…
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.