Protestat për Zvërnecin, Vengu: Shteti mbetet garant i mbrojtjes mjedisore dhe dinjitetit të qytetarëve
Ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu gjatë fjalës së tij në Kuvend ka folur lidhur me protestat kundër ndërtimit dhe dhunës ndaj protestuesve në Zvërnec. Vengu gjatë fjalës së tij u shpreh se në seancë u dhanë garanci që dëshmojnë se shteti mbetet garant i mbrojtjes së dimensionit mjedisor dhe i një zhvillimi të qëndrueshëm.
Ai ndër te tjera theksoi se shteti mbetet garant i dinjitetit të qytetarëve, pavarësisht qëndrimit të tyre. Sipas tij pa këto garanci, çdo zhvillim mbetet i brishtë teksa theksoi se Vlora nuk ka nevojë të zgjedhë mes zhvillimit dhe dinjitetit pasi ajo i meriton t’i ketë të dyja.
“Të nderuar kolegë, nuk mund të flas sot për Vlorën pa folur për Zvërnecin. Jo për të ushqyer konfliktin, as për të bërë atë moralin e zakonshëm që fiton simpati por na largon nga arsyetimi, dhe as për të vënë në dyshim nevojën për investime serioze dhe turizëm cilësor. Si të gjithë ju, besoj se Vlora ka nevojë për projekte të mëdha, ka nevojë për ekonomi më të fortë, ka nevojë për vende pune më të mira dhe për një turizëm që e ngjit Shqipërinë në një nivel tjetër.
Por besoj po aq fort se në majën ku ka arritur vendi në fushën e turizmit deri sot, kjo majë vjen edhe me përgjegjësinë për të marrë vendime komplekse, për të shpjeguar më shumë dhe më mirë, për të përfshirë qytetarët dhe për të mos lënë askënd me përshtypjen se ky zhvillim e përjashton. Pamjet e ditëve të fundit në Zvërnec na kanë rënduar të gjithëve. Nuk ishin pamje të denja për demokracinë tonë, dhe kurrë nuk mund të pajtohemi me idenë që një qytetar, cilido qoftë qëndrimi i tij, të tërhiqet zvarrë nga roje private në mes të një proteste.
Si përfaqësues i Vlorës, për mua Zvërneci, Narta dhe Pishë Poroja nuk janë thjesht koordinata në hartë. Janë vende me histori, me kujtesë, me ndjeshmëri sociale dhe me plagë që duhen prekur me shumë kujdes.
Të nderuar bashkëqytetarë dhe bashkëkombas që na ndiqni me ndjeshmëri nga diaspora, debati për trashëgiminë tonë kulturore dhe natyrore patjetër është plotësisht legjitim. Por po aq legjitim është edhe debati për votëbesimin që investimet e huaja po i japin vendit tonë në një botë ku gjithnjë e më shumë secili vend konkurron për sigurinë e tij ekonomike.
Në mjegullën gjeopolitike që na rrethon, është detyra jonë si ligjvënës të konsiderojmë vendime të guximshme që i japin vendit pikërisht siguri ekonomike”, tha ai ndër të tjera.
A post shared by Pirro Vengu (@pirro_vengu)




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.