“Protestat u nxitën fillimisht nga Greqia”, Ali Ahmeti: Armiqtë e kombit po krijojnë pasiguri në Shqipëri
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar me shqetësim rreth situatës politike në Shqipëri, ku prej 25 ditësh vijon protesta në kryeqytet. Përmes një deklarate për mediat, lideri politik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut u shpreh se këto zhvillime po i shkaktojnë vendit dy goditje të forta ekonomike, duke dëmtuar drejtpërdrejt dy shtyllat kryesore: turizmin dhe investimet e huaja e vendase.
Ahmeti argumentoi se destabilizimi i brendshëm i Shqipërisë po inkurajohet nga faktorë të jashtëm rajonalë që synojnë të sabotojnë rritjen ekonomike të vendit.
“Shqipëria po merr goditje të forta. Goditet turizmi që është industria kryesore. Fushata nisi nga Greqia. Kjo sepse Greqisë po i rrezikohet turizmi nga Shqipëria. Në Beograd është i njëjti që bën fushatën në Serbi, që bën fushatën dhe për protestat në Shqipëri. Nuk mbroj Edi Ramën, por mbroj Shqipërinë sepse më dhimbet Shqipëria,” deklaroi hapur Ali Ahmeti.
Sipas kreut të BDI-së, turizmi dhe investimet janë mjaft sensitive ndaj perceptimit të sigurisë publike. Ai nënvizoi se asnjë sipërmarrës nuk merr përsipër të injektojë kapital apo të rrezikojë investime afatgjata në një mjedis ku mbizotëron pasiguria dhe tensioni social në rrugë.
Në analizën e tij, Ahmeti u bëri thirrje protestuesve që të shohin përtej agjendave të ditës dhe të llogarisin dëmet afatgjata që këto tubime pa një lidership të qartë po i shkaktojnë ekonomisë kombëtare.
“Po goditet dega kryesore e industrisë, turizmi; po goditen investimet e huaja dhe vendore. Asnjë investitor nuk rrezikon kapitalin e tij aty ku ka pasiguri. Nuk them se ata që janë në shesh janë armiq, por kanë rënë në grackën e armiqve të kombit pa analizuar pasojat që i shkaktojnë kombit”, nënvizoi ai.
Roli historik i Shqipërisë si faktor stabiliteti
Gjatë fjalës së tij, Ahmeti u kujtoi të gjithë shqiptarëve në rajon peshën historike të shtetit amë, veçanërisht në procesin e çlirimit, strehimit dhe shtetformimit të Kosovës, duke insistuar se një Shqipëri e dobësuar ekonomikisht do të thotë një faktor më i dobët për mbrojtjen e interesave shqiptare në mbarë Ballkanin.
Ai e mbylli apelin e tij duke kërkuar maturi politike dhe matje të pasojave, pasi çdo goditje ndaj imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë do të ketë një efekt domino mbi të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në rajon.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.