Rama inspekton stadiumin e koncertit të Kanye West: Spektatorë nga 80 shtete, mundësi e rëndësishme për kryeqytetin
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një inspektim në stadiumin ku po bëhen përgatitjet për koncertin e madh të Kanye West, i cili do të mbahet të shtunën, më 11 korrik, në Tiranë. Eventi pritet të mirëpresë mijëra spektatorë nga rreth 80 shtete, duke e vendosur kryeqytetin shqiptar në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se për realizimin e këtij eventi janë angazhuar rreth 3500 punonjës që prej nisjes së përgatitjeve.
“Paralelisht po punojnë ekipe ditë e natë, 24 orë pa ndërprerje. Është gjithë teknika që rajoni siguron, pasi bëhet fjalë për një teknologji shumë të vështirë për t’u gjetur, sepse e gjithë bota, sidomos Europa, gjatë sezonit të verës është e angazhuar me evente të mëdha live”, u shpreh Gonxhja.
Sipas tij, bëhet fjalë për një projekt me vështirësi të lartë teknike, që realizohet rrallë dhe kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm. Stadiumi do të ketë një kapacitet pritës prej rreth 60 mijë personash, nga të cilët 30 mijë në ulëse dhe 30 mijë në këmbë.
Ministri Gonxhja theksoi se ky event përfaqëson një mundësi të rëndësishme jo vetëm për aspektin artistik, por edhe për ekonominë dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
“Një pjesë e mirë e njerëzve që edhe dezinformohen nuk e kuptojnë rëndësinë që ka ky event, rëndësinë e kësaj ndërmarrjeje, jo vetëm nga pikëpamja e vështirësisë së realizimit në vetvete dhe rekordit që Shqipëria do të arrijë duke e bërë realitet, por edhe nga pikëpamja ekonomike. Është një përfitim i jashtëzakonshëm për zonën dhe kryeqytetin”, tha Gonxhja.
Ai shtoi se përtej koncertit, po punohet për krijimin e një reputacioni të ri për Shqipërinë në skenën globale të eventeve.
“Nuk po punohet vetëm për një event apo një ngjarje, por për një reputacion. Nëse ia dalim, dhe besoj se do t’ia dalim, të jemi aty ku duhet në këtë organizim, do të jetë diçka që do të zgjasë për 10 vjet. Do të jetë një derë që hapet për një mundësi të re, që Shqipëria të mos jetë vetëm në kalendarin global të eventeve, por të hyjë në një nivel krejt tjetër”, u shpreh ministri.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama theksoi se koncerti është një event i organizuar tërësisht nga sektori privat, me pjesëmarrjen e partnerëve shqiptarë, gjermanë dhe turq.
“Është e rëndësishme të mbahet parasysh që ky është një event i organizuar tërësisht nga grupi privat. Partnerë shqiptarë, gjermanë dhe turq kanë marrë përsipër gjithë këtë ndërmarrje kolosale”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se ndërhyrja e shtetit ka qenë vetëm për garantimin e disa elementeve të domosdoshme të sigurisë dhe organizimit, duke hedhur poshtë shifrat e përfolura për financime të mëdha publike.
“Shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë, jo dhjetëra miliona euro, siç thonë sorrat dhe korbat e Bulevardit, por 4 milionë euro, në mënyrë që të garantojmë që ata mijëra e mijëra njerëz, të cilët kanë prerë bileta nga Europa, Amerika, Australia dhe 80 shtete të tjera, të kenë mundësi të jenë këtu”, u shpreh Rama.
Sipas Kryeministrit, mosrealizimi i këtij eventi do të sillte humbjen e një mundësie të rëndësishme për ekonominë e kryeqytetit, pasi vizitorët e huaj sjellin ndikim të menjëhershëm ekonomik, por edhe efekte afatgjata.
“Ajo finale e Conference League na solli gjithë atë bum turistësh nga Holanda dhe Italia. Këto janë eventet, sepse bota nuk është e marrë që organizon aktivitete të tilla, të cilat natyrisht kërkojnë një shpenzim fillestar. Ato janë investime, investime për një Shqipëri tjetër që nuk ndalet dhe nuk kthehet mbrapa”, përfundoi Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.