Rama: Shqipëria ka mbi 1 mijë shërbime publike digjitale, synojmë sistem prokurimi me inteligjencë artificiale
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Forumin Evropian të Inovacionit dhe Sipërmarrjes, u ndal te transformimi digjital i administratës publike, lufta kundër korrupsionit dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në qeverisje, duke theksuar se teknologjia po ndryshon mënyrën se si funksionon shteti dhe marrëdhënien e qytetarëve me institucionet.
Rama deklaroi se një nga sfidat më të mëdha të qeverisjes ka qenë rikonceptimi i vetë pushtetit dhe çmontimi i mekanizmave që kanë ushqyer korrupsionin ndër vite.
“Përtej dyerve qëndronte një dorë e shtrirë, e arkitekturuar nga pushteti që trashëguam. Sfida jonë ishte rikonceptimi i vetë pushtetit. Korrupsioni është një dështim arkitekturor”, u shpreh Kryeministri.
Duke folur për procesin e digjitalizimit të administratës, kreu i qeverisë tha se Shqipëria ka ndërtuar një sistem të gjerë shërbimesh elektronike, që sipas tij ka reduktuar kontaktin fizik mes qytetarit dhe administratës, duke kufizuar edhe hapësirat për korrupsion.
“Tullë pas tulle digjitale, shërbim pas shërbimi, sot Shqipëria ka më shumë se 1 mijë shërbime publike digjitale. Këto përbëjnë afro 98 për qind të të gjitha shërbimeve publike. Qytetarët kanë nevojë vetëm të klikojnë në telefonët e tyre. Shërbimet që kanë mbetur jashtë sistemit online janë, për shembull, martesa, e cila ende nuk kryhet në mënyrë digjitale”, tha Rama.
Sipas tij, përfitimi më i madh i këtij transformimi nuk ka qenë vetëm lehtësimi i procedurave për qytetarët, por ndikimi që ka pasur në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës.
“Arritja më e madhe e hapit të parë nuk ishte asnjëherë vetëm leverdia. Diçka e jashtëzakonshme ndodh kur qeveritë bëhen digjitale. Nuk hiqen vetëm letrat, por eliminohen mundësitë për pushtetin e padukshëm, hiqen takimet dhe favoret e panevojshme. Rezulton se është shumë e vështirë t’i japësh ryshfet një serveri. Digjitalizimi është reformë demokratike, sepse ndryshon mënyrën se si funksionon shteti”, theksoi ai.
Kryeministri u ndal edhe te hapi i radhës i modernizimit të administratës, duke bërë të ditur se qeveria synon të integrojë inteligjencën artificiale në proceset vendimmarrëse dhe në sistemin e prokurimeve publike.
“Teksa e nisëm këtë rrugëtim, u ngrit një pyetje tjetër: nëse teknologjia ndihmon njerëzit të qëndrojnë në qendër të qeverisjes, atëherë përse inteligjenca artificiale të mos bëhej pjesë e qeverisë? Synojmë një sistem prokurimi me inteligjencë artificiale. Pushteti duhet t’i shndërrojë paratë publike në vlerë publike, por kompleksiteti shpesh ka bërë të mundur rrjedhjen e besimit publik”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë tha se inteligjenca artificiale do të përdoret për të reformuar një nga sektorët më të ndjeshëm të administratës, atë të vendimmarrjes administrative.
“Sollëm inteligjencën artificiale për të rikonceptuar një prej vendeve ku qeverisja demokratike është më e cenueshme: ushtrimin e vendimmarrjes administrative”, theksoi Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.