Rubio: Serbia e përfshirë në çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”
Sekretari amerikan i Shtetit shpreson të vizitojë Beogradin dhe thotë se SHBA-ja synon ta thellojë partneritetin strategjik me Serbinë, ndërkohë që kongresmenë republikanë dhe demokratë kërkojnë masa ndaj Beogradit për "rënie serioze" të demokracisë
“Serbia është e përfshirë në disa çështje që janë potencialisht problematike dhe shpërthyese dhe që tërheqin vëmendjen ndërkombëtare”, tha sot Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio para gazetarëve në Nju-Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sipas gazetës Danas që citon Radion Evropa e Lirë.
Rubio shtoi se SHBA-ja “duan ta thellojnë” partneritetin strategjik me Serbinë: “Synojmë ta bëjmë këtë ndërkohë që zgjidhim problemet potenciale që mund të shfaqen, për të cilat e di se prekin thellë edhe vetë Serbinë”. Ai tha se zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe të agjencive të tjera amerikane e kanë vizituar tashmë Serbinë dhe shprehu shpresën se edhe ai do të ketë mundësinë ta vizitojë.
Deklarata vjen pas memorandumit të mirëkuptimit që SHBA-ja dhe Serbia nënshkruan në korrik në Uashington për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë rajonale energjetike, në kuadër të dialogut strategjik të hapur nga vetë Rubio.
Por në gusht, kongresmenë republikanë dhe demokratë paraqitën projektligj që i kërkon Uashingtonit masa ndaj Serbisë për “rënie serioze” në demokraci dhe sundimin e ligjit, si dhe për bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe Iranin. Nismëtari, republikani Xho Vilson, tha se Serbia nën Aleksandar Vuçiçin “është larguar qëllimisht gjithnjë e më shumë nga sundimi i ligjit dhe është afruar me armiqtë e lirisë, si krimineli i luftës Putin, Partia Komuniste e Kinës dhe regjimi terrorist i Teheranit”.
Serbia, kandidate për anëtare në BE, nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negocimi prej rreth pesë vjetësh, për shkak të progresit të pamjaftueshëm në sundimin e ligjit dhe mospërafrimit të politikës së jashtme me atë të BE-së. Pas fillimit të luftës në Ukrainë, Beogradi nuk vendosi sanksione kundër Rusisë — arsyeja kryesore e bllokimit, sipas RSE-së. Vilson propozoi edhe zhvendosjen e mbledhjes vjetore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Serbia në Karolinën e Jugut, për “ndikimin e tepruar” të Putinit në Serbi.
Burimi: Danas



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.