SDSM akuzon për tender të ri të dyshimtë 13,2 milionë euro: “Rudnap” dhe Bozhinovska, hallka kyçe e rrjetit
Sipas opozitës, kompania serbe "METER&CONTROL", e themeluar nga "Rudnap Group", fitoi kontratën e EVN-it për matësat elektrikë, ndërsa ministrja e Energjisë ka qenë drejtoreshë ekzekutive e kompanive të të njëjtit grup.
Opozita maqedonase SDSM doli sot me akuza të reja për atë që e quan “marrëveshje të re” me vlerë 13,2 milionë euro në sektorin e energjisë. Sipas Maja Serafimovska-Borozan, kompania serbe “METER&CONTROL” është zgjedhur bartëse e kontratës së EVN Maqedoni për furnizimin me matësa të energjisë elektrike, ndërsa firma rezulton e lidhur me “Rudnap Group”, që shfaqet në historinë e saj pronësore.
“Kush është hallka kyçe mes ‘Rudnap’-it dhe Qeverisë së Mickoskit? Ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska, dhe konsulli Dushan Adamoviq”, deklaroi Borozan. Sipas saj, në periudhën 2011–2014 Bozhinovska ka qenë drejtoreshë ekzekutive e kompanive të “Rudnap Group” në Europën Qendrore dhe Lindore, ndërsa lidhet edhe me “Rudnap DOOEL” Shkup, ku ka qenë menaxhere.
Borozan shtoi se “Rudnap” është partner edhe me “Al Dahra”, kompani që lidhet me projektin “Beogradi mbi ujë”, model i cili sipas saj po paralajmërohet tani edhe në Maqedoni. Në këtë rrjet, tha ajo, shfaqet edhe Dushan Adamoviq, funksionar i SNS-it dhe konsull nderi i emëruar nga Mickoski.
“Kjo është hallka e re milionëshe në rrjetin energjetik të biznesit të Mickoskit, të cilin SDSM e zbuloi gjashtë muaj më parë. Rrjet, pipëzat e të cilit shtrihen nga Komisioni Rregullator, REK-u dhe Banka për Zhvillim, deri te strukturat offshore në Qipro”, deklaroi Borozan. Sipas saj, strukturat offshore të Qipros çojnë te “Rudnap Group” e Vojin Lazareviqit, ndërsa i gjithë rrjeti lidhet drejtpërdrejt me Qeverinë përmes Sanja Bozhinovskës.
Akuzat vijnë pas hetimit të publikuar nga Qendra serbe për Gazetari Hulumtuese (CINS) në bashkëpunim me BIRN, sipas të cilit kontrata me vlerë 812,4 milionë denarë (rreth 13,2 milionë euro) për matësa elektrikë iu dha më 11 gusht kompanisë “METER&CONTROL”, të themeluar në prill 2008 nga “Rudnap Group”.
Burimi: Makfax



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.