Se për ta, liria e Kosovës ishte e para
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, një javë më parë pohonte për Danas-in se, gjatë vizitës së atyre ditëve në Paris, kishte dëgjuar se Hashim Thaçi mund të dënohej rëndë nga Gjykata Speciale në Hagë. E çuditshme, por dy javë më parë, si ta kishte harruar jo më kot, me një siguri marramendëse, provokim apo për të krijuar pështjellim te shqiptarët, e shihte lirimin e Thaçit nga paraburgimi me një dënim që i përgjigjej kohës së këtij paraburgimi.
Ish Ministri i Informacionit në qeverinë e Sllobodan Milosheviçit gjatë periudhës 1998-2000, presidenti aktual, është i njohur si mbështetës i kasaphanave të serbeve. Ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë(OSBE), në ato vite në Prishtinë, pohon se “çfarë Vuçiç bën me informacione, dezinformata, kuptohet në të gjitha kryeqytetet e Europës…Ai ishte në zinxhirin komandues të Qeverisë së Milosheviçit”.
E vërteta është se trupat serbe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë kanë kryer masakra të papara. Është po ky Vuçiç, sot President i Serbisë dhe nesër pret të zëjë karriken e kryeministrit, shprehu gjithë interesimin, që, duke glorifikuar kriminelë të njohur të luftës si Ratko Mlladiç, ish i dënuar në Hagë për genocid dhe krime të tjera të panumërta, të jetë i përkushtuar që shteti serb t’ia bënte varrimin, sikurse pohonte kreu i shtetit, “në mënyrë dinjitoze”. Tani, Aksandar Vuçiç ndjehet i lumtur. Gjykata e Hagës iu përgjigj atij dhe mbështetësve ëndërrues me dënimin e katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ia bën më të sigurt fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe atë të karriges së kryeministrit.
Po si u krijua kjo Gjykatë Speciale? Në mbështetje të saj ishin jo pak njerëz. Ndërkohë, presioni mbi Kosovën nuk ishte i vogël. Kërkohej mahana për trahana, që Kosovës t’i sfumohej pavarësia, e fituar me sakrifica të mëdha, duke shpresuar që ajo të kthehej në duart e serbëve. Ëndrra në diell të këtyre të fundit. Miratimi në parlamentin e Kosovës i ngritjes së kësaj Gjykate nuk ishte i lehtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të Perëndimit ishin më këmbëngulësit që i kërkonin Kuvendit të Kosovës krijimin e Gjykatës Speciale. Legjenda e “Shtëpisë së Verdhë” për heqjen e organeve të serbëve të vrarë apo të zënë robër reklamohej me të madhe nga komisionieri zvicerian, Dick Marty, i njohur për qëndrimet e mbajtura ndaj pavarësisë së Kosovës, duke i ardhur në ndihmë propagandës serbe dhe qarqeve të ndryshme ndërkombëtare.
Shtetet anëtare të QUINT-it, SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, përmes një letre u kërkonin autoriteteve kosovare ta miratojnë atë në parlament. Një deklaratë e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, Cliff, theksonte se, po të mos formohej kjo Gjykatë me staf ndërkombëtar, Rusia do t’i drejtohej Këshillit të Sigurimit, gjë që nuk do të ishte aspak në interes të Kosovës. Kurse drejtorja e Human Right Watch në Bashkimin Evropian e shihte parlamentin si të tillë, që duhet të sjellë drejtësi për abuzimet serioze.
Këto dhe kontaktet e tjera me ndërkombëtarët për ngritjen e Gjykatës, edhe pse jo e lehtë, nuk e lëkundën Hashim Thaçin dhe as luftëtarët e shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndryshe, do gjendej një formë tjetër për ta ngritur atë. Miratimi i saj mund t’i kalonte Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por udhëheqësit e denjë të UÇK-së, me ndërgjegje të plotë e morën përsipër vetë. Ishin larg çdo sajese të Dick Martyt dhe disa të shiturve, që në çdo kohë të vrasin në heshtje dhe pastaj të qajnë me kuje, duke goditur dhe mohuar luftën e paqme të UÇK-së. Pasojat e shpifjeve të këtyre të fundit do të bëheshin, sikurse edhe ndodhi, dëshmi të jetësimit të vendimit të pardjeshëm të Gjykatës Speciale. Dosjet serbe ishin ushqimi i parë i këtij verdikti.
Hashim Thaçi e kishte treguar veten, edhe pse i ri në moshë, i kthjellët dhe me vizion të dukshëm, koshient për çka luftonte së toku me popullin e tij dhe për të qënë përballë asaj Gjykate që e ngritën vetë. Se për të dhe komandantët, luftëtarët e UÇK-së, liria, pavarësia e Kosovës ishin të parat, më të shtrenjtat. Larg, shumë larg shtetit serb, genocidi i të cilit ishte shumë i organizuar përballë një populli të vuajtur dhe të pambrojtur nga regjimi serb dhe të një UÇK-je, me djem dhe vajza shqiptare, të vendosur në rrugën për lirinë e Kosovës dhe popullit të saj.
81 vite burg për çlirimtarët e Kosovës. E papritur. Një komb i tërë i shqetësuar me të drejtë. Por jo, jo i pashpresë. Larg euforisë, por dhe çdo lëkundjeje që nuk është në favor të çeshtjes sonë Provat kundërshtohen me një trup solid, të bashkuar Shqipëri-Kosovë, përmes një mori faktesh të njohura për botën, me juristë të shquar me mjekër, ndërkombëtarë dhe vendas.
Puna e diplomacisë shqiptare për të vërtetat e Kosovës, për çlirimin dhe pavarësinë e saj është tashmë një përvojë e dukshme. Ajo duhet t’i shërbejë klasës politike në Tiranë dhe Prishtinë, kudo që punojnë dhe jetojnë shqiptarët, t’i përgjigjet Gjykatës Speciale të Hagës, opinionit botëror në tërësi me kujtesën tonë, me një lobim të fuqishëm.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.