☀️
Tiranë 16°C · Kthjellët 14 June 2026
S&P 500 7,431 ▲0.5%
DOW 51,202 ▲0.7%
NASDAQ 25,889 ▲0.31%
NAFTA 84.88 ▼3.23%
ARI 4,239 ▲3.03%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1569 EUR/GBP 0.8633 EUR/CHF 0.9219 EUR/ALL 95.1623 EUR/MKD 61.6443 EUR/RSD 117.3751 EUR/TRY 53.5772 EUR/JPY 185.37 EUR/CAD 1.6174 EUR/USD 1.1569 EUR/GBP 0.8633 EUR/CHF 0.9219 EUR/ALL 95.1623 EUR/MKD 61.6443 EUR/RSD 117.3751 EUR/TRY 53.5772 EUR/JPY 185.37 EUR/CAD 1.6174
₿ CRYPTO
BTC $64,459 ▲ +1.45% ETH $1,686 ▲ +1.25% XRP $1.1529 ▲ +2.01% SOL $69.2700 ▲ +4.06%
S&P 500 7,431 ▲0.5 % DOW 51,202 ▲0.7 % NASDAQ 25,889 ▲0.31 % NAFTA 84.88 ▼3.23 % ARI 4,239 ▲3.03 % S&P 500 7,431 ▲0.5 % DOW 51,202 ▲0.7 % NASDAQ 25,889 ▲0.31 % NAFTA 84.88 ▼3.23 % ARI 4,239 ▲3.03 %
EUR/USD 1.1569 EUR/GBP 0.8633 EUR/CHF 0.9219 EUR/ALL 95.1623 EUR/MKD 61.6443 EUR/RSD 117.3751 EUR/TRY 53.5772 EUR/JPY 185.37 EUR/CAD 1.6174 EUR/USD 1.1569 EUR/GBP 0.8633 EUR/CHF 0.9219 EUR/ALL 95.1623 EUR/MKD 61.6443 EUR/RSD 117.3751 EUR/TRY 53.5772 EUR/JPY 185.37 EUR/CAD 1.6174
14 Jun 2026
Breaking
Ekonomia

Shkollimi në shtëpi po përhapet me shpejtësi

Arsim Bota Lajmet Kryesore

Shkollimi në shtëpi po përhapet me shpejtësi  

Share Share Icon

Pas pandemisë së Covid-19, gjithnjë e më shumë prindër po zgjedhin t’i arsimojnë vetë fëmijët

 

Disa muaj pasi dy fëmijë sulmuan me shkopinj djalin e Enna Pink në kopsht, ai nisi t’i lutej që të qëndronte në shtëpi.

“Nuk doja ta detyroja të shkonte”, thotë zonja Pink. Ajo dhe bashkëshorti i saj, që të dy punonin në një startup, menduan se shkollimi në shtëpi do të ishte më i përshtatshëm për djalin e tyre, i cili ishte tepër i ndjeshëm emocionalisht.

Por kjo ishte e paligjshme në Gjermani, ku jetonin. Kështu u zhvendosën në Kosta Rika, ku shkollimi në shtëpi është kundër ligjit për vendasit, por ku ka pak kontroll ndaj nomadëve digjitalë.

Tani fëmijët e saj, shtatë dhe katër vjeç, nuk ndjekin plane mësimore; përkundrazi, mësojnë duke luajtur jashtë, duke marrë pjesë në aktivitete lokale me fëmijë të tjerë dhe duke udhëtuar nëpër botë. Ajo mendon se kjo nxit kureshtjen dhe vetëbesimin. “Ne mendojmë se ajo për të cilën shoqëria jonë do të ketë nevojë në të ardhmen nuk është ajo që mund të ofrojë sistemi shkollor”, thotë zonja Pink.

Shkollimi në shtëpi ka qenë prej kohësh i lidhur me prindër ekscentrikë (njerëz që sillen ose mendojnë ndryshe nga shumica), fëmijë të ndrojtur dhe metoda të dobëta pedagogjike. Por ai po rritet me shpejtësi.

Numri i familjeve që e praktikojnë po shtohej edhe para pandemisë; që atëherë është rritur ndjeshëm në vende si Britania, Australia dhe Kanadaja (shih grafikun 1). Në Amerikë, 3.2 milionë fëmijë, ose 6% e popullsisë në moshë shkollore, u arsimuan në shtëpi në vitin 2024, më shumë se dyfishi i numrit të vitit 2019.

 

 

Ndërsa shkollimi në shtëpi është zgjeruar, kanë ndryshuar edhe familjet që e zgjedhin atë. Merrni Amerikën si shembull, ku shkollimi në shtëpi, dikur një modë e së majtës kundërkulturore në vitet 1970, në vitet 1980 u shty përpara nga konservatorët që i përshkruanin shkollat si “inkubatorë satanikë”. Ai vazhdon të lidhet me të krishterët ungjillorë të bardhë.

Por sot, prindërit që zgjedhin shkollimin në shtëpi në Amerikë ngjajnë në përgjithësi me pjesën tjetër të popullsisë, thotë Angela Watson, drejtuese e kërkimeve mbi shkollimin në shtëpi në Universitetin Johns Hopkins.

Në fakt, sipas saj, kjo praktikë po rritet më shpejt te familjet me ngjyrë, shumë prej të cilave shqetësohen për diskriminimin dhe programet mësimore të pandjeshme ndaj kulturës së tyre.

Ndoshta për arsye të ngjashme, në anketën Household Pulse Survey të Census Bureau për vitet 2022-23, një përqindje më e lartë e prindërve që arsimonin fëmijët në shtëpi identifikoheshin si LGBT krahasuar me prindërit e shkollave publike ose private.

Zonja Watson vëren se shumica e familjeve “i kombinojnë” format e arsimit: rreth gjysma e fëmijëve të arsimuar në shtëpi në Amerikë mësojnë në këtë mënyrë vetëm për një deri në tre vjet.

Edhe arsyet për shkollimin në shtëpi po ndryshojnë. Prindërit tani kanë më shumë gjasa të thonë se shqetësimi kryesor është siguria fizike dhe psikologjike e fëmijës së tyre.

“Që kur lindi fëmija ynë më i madh, bota është çmendur pak”, thotë Rebecca Hardman, një nënë britanike. Ajo dhe bashkëshorti planifikonin ta dërgonin djalin e tyre të vogël në shkollë kur të përfundonte izolimi nga pandemia.

Por më pas nisën ta shihnin shkollimin në shtëpi si një alternativë afatgjatë. Fëmijët në shkollë dukeshin më të ekspozuar ndaj presionit të bashkëmoshatarëve dhe ndikimit të dëmshëm të rrjeteve sociale. “Gjërat kanë ndryshuar kaq shpejt dhe sa herë mendoja: ‘Ndoshta ka ardhur momenti’, menjëherë më lindte dyshimi: ‘Po çfarë do të mësonte ai realisht?’”.

Prindërit shqetësohen gjithashtu për garën e ethshme të suksesit. Organizata Botërore e Shëndetësisë e OKB-së, në një anketë me 280,000 të rinj në 44 vende, zbuloi se përqindja e vajzave 15-vjeçare që ndiheshin nën presion në shkollë u rrit nga 54% në 63% midis viteve 2018 dhe 2022. Ky është një shqetësim i veçantë për fëmijët me vështirësi në të nxënë, autizëm ose probleme të shëndetit mendor.

(Një në gjashtë nga 126,000 fëmijët e arsimuar në shtëpi gjatë semestrit të vjeshtës në Angli vitin e kaluar përmendi shëndetin mendor si arsyen kryesore.) Arsimi tradicional është “i ngurtë, jo mikpritës, stresues, burokratik dhe thjesht i padurueshëm”, thotë Hanna Lippi, një prind në Slloveni.

Ajo i arsimoi fëmijët e saj në shtëpi përpara se rregullat të ashpërsoheshin në vitin 2024 dhe po mendon të zhvendoset jashtë vendit që të vazhdojë ta bëjë këtë. Për shkak të fokusit te vlerësimi akademik, thotë ajo, “familjet janë të rraskapitura”.

Prindër të tjerë thjesht mendojnë se mund të ofrojnë arsim më të mirë. Shumë prej tyre i konsiderojnë programet kombëtare mësimore si të prapambetura për tema që variojnë nga raca tek Inteligjenca Artificiale, ose tepër të ngurta për një botë që ndryshon me shpejtësi. Issy Butson, i cili drejton një podcast të njohur për shkollimin në shtëpi, nisi t’i edukojë fëmijët në shtëpi në Zelandën e Re pas 20 vitesh pune në kompani software dhe startup-e.

Ai i shmang lëndët tradicionale nëse fëmijët nuk i pëlqejnë ato. “Djali ynë i madh është storyteller (tregimtar – që di të tregojë histori në mënyrë tërheqëse dhe krijuese): ai shkruan, lexon dhe vizaton, dhe gjithmonë ka qenë i pasionuar pas kësaj.

Prandaj është krejt absurde të mendosh se do të uleshim ndonjëherë t’i mësonim matematikë. Do të dukej krejt pa kuptim.” Në vend të kësaj, ai përdor tutoriale online për të mësuar tema si programimi kompjuterik, që sipas tij janë më të dobishme. Nxënësit në shkolla “janë trajnuar sipas një modeli krejt tjetër për një botë krejt tjetër”, thotë ai.

Refuzimi i shkollës shqetëson shumë njerëz. Disa studime të kryera nga mbështetës të shkollimit në shtëpi tregojnë se fëmijët e arsimuar në këtë mënyrë arrijnë rezultate më të mira se bashkëmoshatarët e tyre. Por praktika del më dobët në disa studime të tjera që marrin parasysh sfondin familjar.

Në vitin 2025, Cardus, një institut kërkimor kanadez, publikoi një studim që merrte parasysh varfërinë gjatë fëmijërisë, nëse i anketuari ishte rritur me të dy prindërit biologjikë dhe nëse vinte nga një familje fetare.

Studimi, i realizuar nga zonja Watson dhe Albert Cheng nga Universiteti i Arkansas, zbuloi se të rriturit amerikanë që kishin ndjekur shkollimin në shtëpi kishin më pak gjasa të punonin me kohë të plotë ose të kishin të ardhura familjare mbi pagën mesatare.

Një studim i vitit 2014, bazuar në të dhënat e National Survey on Drug Use and Health në Amerikë, zbuloi se nxënësit e shkolluar në shtëpi mbi moshën 12-vjeçare kishin dy deri në tre herë më shumë gjasa të raportonin se ishin prapa nivelit të klasës së tyre.

Ndërsa një analizë e vitit 2020 nga Robert Kunzman dhe Milton Gaither zbuloi se nxënësit e shkolluar në shtëpi kishin rezultate të mira në testet verbale, por mbeteshin pas në matematikë.

Edhe studimet mbi shëndetin mendor dhe integrimin social japin rezultate të përziera. Pjesa më e madhe e të dhënave mblidhet përmes vetëraportimit dhe shumica e familjeve që praktikojnë shkollimin në shtëpi priren të thonë se fëmijët e tyre janë të socializuar mirë.

Por kohëzgjatja e shkollimit në shtëpi duket se ka shumë rëndësi. Raporti i Cardus zbuloi se nxënësit e arsimuar në shtëpi për tetë vjet ose më shumë raportonin nivelet më të larta të optimizmit dhe lidhjeve të afërta sociale.

Por ata që ishin arsimuar në këtë mënyrë vetëm për një deri në dy vjet raportonin nivelet më të larta të ankthit, ndërsa ata që kishin ndjekur shkollimin në shtëpi për tre deri në shtatë vjet kishin më pak lidhje të afërta sociale dhe kënaqësinë më të ulët nga jeta (shih grafikun 2).

 

 

Një aspekt i vështirë të matet është shkalla në të cilën fëmijët mund të izolohen dhe të jenë të cenueshëm ndaj keqtrajtimit në shtëpi. Kjo është një nga shqetësimet kryesore të mbështetësve për rregullim më të fortë të shkollimit në shtëpi, si Coalition for Responsible Home Education, një organizatë amerikane ku shumë prej stafit janë vetë ish-fëmijë të arsimuar në shtëpi.

Nuk ka prova të shqyrtuara shkencërisht që lidhin shkollimin në shtëpi me nivele më të larta abuzimi ose neglizhence.

Por në nivel global, mësuesit janë raportuesit më të shpeshtë të rasteve te shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve, ndaj kontakti më i kufizuar mes nxënësve dhe stafit shkollor mund të bëjë që keqtrajtimet të kalojnë pa u vënë re. Disa ekspertë shqetësohen gjithashtu se fëmijët mund të hiqen nga shkolla nga prindër abuzivë nën pretekstin e shkollimit në shtëpi.

Në vitin 2024, një studim i Child Safeguarding Practice Review Panel në Angli zbuloi se fëmijët e arsimuar në shtëpi ishin “më pak të dukshëm” për agjencitë e mbrojtjes së fëmijëve, megjithëse theksonte gjithashtu se shumica e tyre “kanë jetë të lumtura dhe të sigurta”.

Shumë vende kanë rregulla tepër të rrepta për arsimin në shtëpi. Ndjekja e shkollës është e detyrueshme në vende si Kina, Gjermania, Greqia, Holanda, Spanja dhe Turqia; përjashtimet janë të rralla.

Në disa vende të tjera, përfshirë Korenë e Jugut dhe Singaporin, kjo praktikë u nënshtrohet kufizimeve të forta. Këtë vit, Britania miratoi Children’s Wellbeing and Schools Act, që krijon një regjistër kombëtar të fëmijëve jashtë sistemit shkollor dhe rrit mbikëqyrjen lokale mbi shkollimin në shtëpi; më parë, prindërve u kërkohej thjesht të siguronin që fëmijët të merrnin arsim me kohë të plotë “të përshtatshëm” për moshën e tyre.

Ndërsa në vitin 2021, pas një serie sulmesh terroriste, Franca miratoi një ligj që kufizon shkollimin në shtëpi vetëm në raste të jashtëzakonshme, në përpjekje për të luftuar ekstremizmin dhe për të mbrojtur vlerat laike.

Por në vende të tjera rregullat janë jashtëzakonisht të lehta. Amerika, vendlindja e shkollimit në shtëpi, ka kaluar valë derregullimi, pjesërisht falë dekadave të lobimit nga Home School Legal Defence Association, një organizatë konservatore që tashmë vepron në mbarë botën. 

 

Ata që nuk munden, japin mësim

Në pothuajse të gjitha shtetet amerikane, kujdestarët mund t’i edukojnë fëmijët në shtëpi, edhe nëse janë dënuar për krime të dhunshme ose seksuale ndaj fëmijëve.

Në 42 shtete nuk ka asnjë nivel minimal kualifikimi për arsimin e prindërve. Vetëm tetë shtete amerikane kërkojnë që të gjithë fëmijët e arsimuar në shtëpi t’u nënshtrohen testimeve akademike, ndërsa 27 shtete nuk kanë fare kërkesa për testime.

Njëmbëdhjetë shtete nuk kërkojnë as që familjet të njoftojnë distriktet shkollore se do të praktikojnë shkollimin në shtëpi. Dhe disa shtete tani subvencionojnë shkollimin në shtëpi, duke u lejuar prindërve të përdorin para publike për shërbime si mësime private.

Në raste ekstreme, mungesa e mbikëqyrjes rregullatore mund të lejojë përhapjen pa pengesa të ideologjive të rrezikshme. Në vitin 2023, u zbulua një rrjet shkollimi në shtëpi në Ohio që lidhte deri në 3,000 supremacistë të bardhë përmes rrjeteve sociale; libri “Mein Kampf” i Hitlerit ishte një nga tekstet bazë të programit mësimor.

Autoritetet hetuan grupin, por arritën në përfundimin se nuk ishte shkelur asnjë ligj, pasi ligjet e shtetit për shkollimin në shtëpi nuk rregullojnë përmbajtjen e kurrikulës.

Këto mund të jenë rreziqet stereotipike të shkollimit në shtëpi, por në përgjithësi praktika po gjen mbështetje në të gjithë spektrin ideologjik. Zonja Watson vëren se, në një anketë të vitit 2024, prindërit amerikanë që praktikonin shkollimin në shtëpi kishin vetëm pak më pak gjasa të identifikoheshin si liberalë ose të moderuar sesa prindërit e shkollave publike.

Prindër të të gjitha bindjeve tani priren të thonë, pavarësisht rezultateve të përziera për performancën dhe përshtatjen sociale, se thjesht duan atë që është më e mira për fëmijët e tyre. / The Economist

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.