Shqipëri-Kosovë, polici e përbashkët në rrugë gjatë verës 2026! Nënshkruhet marrëveshja për sigurinë rrugore dhe men
Policia e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor, me qëllim përmbushjen sa më efektive të parametrave të sigurisë rrugore gjatë sezonit turistik 2026.
Marrëveshja, e cila është dëshmia e radhës e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy policive, ka në bazë fluksin e lartë të përvitshëm të shtetasve dhe mjeteve nga Kosova gjatë sezonit veror, si dhe lëvizjen intensive në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë.
Ky akt bashkëpunimi synon të vendosë në qendër të policimit rrugor teknologjinë dhe të shmangë ndalimet e automjeteve pa shkak. Gjithashtu, marrëveshja synon të intensifikojë angazhimin e përbashkët të efektivëve të të dyja policive për parandalimin e aksidenteve rrugore, konstatimin e shkeljeve rrugore, menaxhimin e flukseve të lëvizjes, shmangien e trafikut, goditjen e krimeve ndërkufitare dhe rritjen e vigjilencës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Hita, gjatë fjalës së tij, vlerësoi lart partneritetin me Policinë e Kosovës dhe theksoi se kjo qasje bashkëpunimi, pa barriera, ka dhënë rezultate konkrete në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafikimit të armëve dhe lëndëve narkotike, si dhe kundër migracionit të paligjshëm dhe në drejtim të shkëmbimit të informacionit në kohë reale.
Drejtori shtoi se, për monitorimin e qarkullimit rrugor dhe parandalimin e aksidenteve, janë shtuar dronët, radarët dhe automjetet inteligjente për matjen e shpejtësisë, të cilat kanë minimizuar kontaktin fizik të punonjësve të Policisë Rrugore me drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, si dhe kanë rritur transparencën dhe besimin e publikut.
Ndërkaq, Hoxha konfirmoi gatishmërinë e plotë të efektivëve të përzgjedhur për të shërbyer me korrektësi, profesionalizëm dhe humanizëm, krah efektivëve shqiptarë, në afërsi të zonave bregdetare dhe turistike, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e sigurisë rrugore.
Gjithashtu, Hoxha konfirmoi vendosmërinë e Policisë së Kosovës për të bashkëpunuar edhe më ngushtë në shkëmbimin e inteligjencës kriminale, me qëllim arritjen e rezultateve sa më të mira në luftën kundër krimit të organizuar.
Në përfundim të takimit, dy drejtorët nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor gjatë sezonit turistik 2026, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për rritjen e sigurisë rrugore dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.