“Shqipëria përmes syve të Bajronit”, mbrëmje historike e kulturës shqiptare në Londër
“Shqipëria përmes syve të Bajronit” titullohet aktiviteti i organizuar në Londër, një produksion etno-muzikor dhe teatror që ndërthurte historinë, poezinë, muzikën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.
Ky aktivitet shënoi një pjesëmarrje të gjerë të publikut dhe një jehonë të veçantë në komunitetin shqiptar dhe atë britanik.
Ky aktivitet i organizuar nga Empowered Women of Diaspora, në partneritet me British Albanian Youth & Culture, dhe mbështetjen kryesore të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, solli për herë të parë në Londër, pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, institucionin më të lartë artistik shtetëror në fushën e trashëgimisë muzikore dhe skenike shqiptare.
I frymëzuar nga vepra “Childe Harold’s Pilgrimage”, produksioni e prezantoi Shqipërinë përmes këndvështrimit poetik të Lord Bajronit, duke përcjellë te publiku vlerat e lirisë, nderit, mikpritjes shqiptare dhe rolin e gruas shqiptare si shtyllë e familjes dhe identitetit kombëtar. Rolin e Lord Bajronit e interpretoi autori dhe aktori britaniko-kosovar Robert Wilton, i cili udhëhoqi publikun në një udhëtim artistik mes historisë, poezisë dhe kulturës shqiptare.
Emri i autorit dhe poetit të mirënjohur britaniko-kosovar, Robert Wilton u sugjerua nga ish-ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Hungari, Mira Hoxha, e cila e mbështeti iniciativën që në fazën e konceptimit, besoi në vizionin e EWD dhe kontribuoi në realizimin e këtij projekti.
Ky bashkëpunim rezultoi një nga vlerat më të spikatura artistike të produksionit. Përmes interpretimit të tij në rolin e Lord Bajronit, Robert Wilton solli me ndjeshmëri dhe forcë skenike figurën e poetit të madh britanik, duke ndërthurur poezinë me historinë dhe duke rikrijuar lidhjen e veçantë që Bajroni ndërtoi me Shqipërinë gjatë udhëtimit të tij në fillim të shekullit XIX. Interpretimi i tij u shndërrua në një nga momentet më emocionuese dhe më të vlerësuara të mbrëmjes, duke lënë një përshtypje të thellë te publiku.
Mbrëmja u pasurua edhe nga interpretimet muzikore të tenorit Aranit Hoxha dhe solistes Denisa Gjezo, të cilët sollën në skenë këngë të fuqishme dhe emocionuese, duke përcjellë tek publiku bukurinë dhe shpirtin e muzikës shqiptare.
Performancat e tyre, së bashku me vallet dhe këngët tradicionale të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, krijuan një atmosferë të veçantë artistike dhe lanë mbresa të thella te të pranishmit.
Atmosfera në sallë u karakterizua nga emocione të forta dhe duartrokitje të gjata, ndërsa publiku ndoqi me vëmendje çdo moment të shfaqjes. Interpretimet artistike, muzika dhe vallet tradicionale shqiptare u pritën me entuziazëm, duke krijuar një lidhje të veçantë mes artistëve dhe spektatorëve.
Të pranishmit shprehën vlerësimet e tyre për nivelin artistik të produksionit dhe mesazhin kulturor që ai përcolli, duke e cilësuar këtë si një përvojë të rrallë dhe një mbrëmje të paharrueshme shqiptare në Londër. Përtej shfaqjes artistike, eventi u pasurua edhe me një ëorkshop të dedikuar valleve popullore shqiptare, i cili ngjalli interes të madh jo vetëm te pjesëmarrësit shqiptarë, por edhe te shumë londinezë.
Ata patën mundësinë të njiheshin nga afër me ritmet, traditat dhe teknikat e valleve shqiptare, duke marrë pjesë aktivisht në këtë përvojë kulturore dhe duke dëshmuar interesin në rritje për trashëgiminë shqiptare.
Pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti ishte edhe një sfilatë e veçantë me veshje popullore shqiptare, ku morën pjesë 12 vajza shqiptare që jetojnë prej vitesh në Londër. Kjo ngjarje e veçantë që u mundësua falë kostumeve tradicionale të Tradita.AL, publiku pati mundësinë të admirojë larminë, elegancën dhe pasurinë e veshjeve popullore nga treva të ndryshme shqiptare, duke e shndërruar këtë segment në një nga momentet më të bukura dhe më të vlerësuara të mbrëmjes.
Ky aktivitet shërbeu si një urë e rëndësishme kulturore mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke promovuar identitetin shqiptar përmes artit dhe duke afruar publikun ndërkombëtar me historinë, folklorin dhe traditat e vendit.
“Shqipëria përmes syve të Bajronit” u vlerësua si një ngjarje me rëndësi të veçantë artistike, kulturore dhe diplomatike, duke lënë një mbresë të fortë tek publiku dhe duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në promovimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.