Skandali, arrestohet ish-ambasadori italian! U merrte rusëve mijëra euro në këmbim të vizave Schengen
Një ish-ambasador italian është arrestuar nga autoritetet në Itali, pasi dyshohet se kishte ngritur një skemë të paligjshme për lëshimin e vizave Schengen ndaj qytetarëve rusë kundrejt pagesave që arrinin deri në 16 mijë euro për person.
Fjala është për Piergabriele Papadia de Bottini di Sant’Agnese, ish-ambasador i Italisë në Tashkent të Uzbekistanit i cili e mori drejtimin e kësaj ambasade më 2 dhjetor të vitit 2024. E gjithashtu, atëhere ai mori edhe “menaxhimin e zyrës së vizave”, siç tregoi për hetuesit e Njësisë së Policisë Ekonomiko-Financiare të Guardia di Finanza në Romë, Michel, përgjegjësi i zyrës së vizave para ardhjes së ambasadorit.
“Rreth mesit të muajit ai urdhëroi futjen në zyrë të Tatiana Tarakanova”, një gruaje ruse 53-vjeçare me shtetësi italiane dhe rezidente në Bullgari, e cila kishte bashkëpunuar më parë me Papadian gjatë viteve të tij në konsullatën italiane në Moskë.
Tashmë të dy janë nën hetim nga prokuroria e Romës për favorizim të emigracionit të paligjshëm dhe korrupsion në kundërshtim me detyrën zyrtare. Dje, efektivët e Guardia di Finanza zbatuan masat e sigurisë të lëshuara nga gjykatësja e Romës, Annalisa Marzano. Papadia u arrestua në Romë dhe u dërgua në burg në pritje të përfundimit të hetimeve. Ai ishte shkarkuar nga detyra që në dhjetor 2025.
Si funksiononte sistemi i vizave
Sipas hetuesve, Papadia me ndihmën e bashkëpunëtores së tij, kishte ngritur një sistem për lëshimin e vizave turistike afatgjata (nga një deri në tre vjet) për qytetarët rusë, edhe kur ata nuk plotësonin kriteret e kërkuara nga rregullat e hyrjes në zonën Schengen.
Gjithçka bëhej kundrejt pagesave shumë të larta, nga 4 mijë deri në 16 mijë euro për person. Ndërkohë që tarifat zyrtare për aplikimet variojnë nga 45 deri në 60 euro. Përveç kësaj, Papadia dhe asistentja e tij kishin krijuar edhe një “tarifë VIP”.
Sistemi ishte i mirë-organizuar. Ai përfshinte tre agjenci turistike me bazë në Moskë: Happy Travel, Visa4you dhe Park Lane, të gjitha në të njëjtën adresë. Përmes këtyre agjencive, të paktën 95 qytetarë rusë hynë në Itali pa plotësuar kushtet e nevojshme për vizë, si p.sh. mungesa e rezidencës në zonën konsullore (në këtë rast Uzbekistani), dokumente të firmosura ndryshe nga firma në pasaportë ose pa u paraqitur fizikisht në konsullatë.
Sipas hetimeve, disa kërkesa dërgoheshin edhe përmes Telegram-it dhe quheshin “jashtë liste”.
Hetimi nisi pas një inspektimi të Inspektoratit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme italiane më 23 korrik 2025.
“Praktikat e vizave të kontrolluara gjatë inspektimit tregonin shkelje të dukshme që lidhen drejtpërdrejt me kreun e misionit Papadia, i cili vendoste shënimin ‘ok’ dhe inicialet e tij mbi dokumente”, shkruajnë hetuesit.
Nga 92 praktika të kontrolluara, në 81 raste mungonte emri i qytetarëve rusë në regjistrin e hyrjeve të ambasadës, çka nënkupton se ata nuk ishin paraqitur kurrë personalisht.
Për këtë shërbenin agjencitë. Njëra prej tyre, Visa Concord Travel, “e njohur nga Papadia që prej vitit 2014”, sipas hetuesve, kishte transferuar mes janarit dhe qershorit 2025 rreth 23 mijë e 600 euro në një llogari bankare bullgare të Tarakanova-s, të justifikuara fiktivisht si “hua me interes”.
Inspektimi ministror ishte fillimi i fundit për këtë skemë. Hetuesit rindërtuan të gjithë mekanizmin, përfshirë vendet ku kishin qëndruar në Itali 95 përfituesit e parë të vizave të lëshuara në kundërshtim me rregullat.
Gjatë një takimi me inspektorët, Papadia “belbëzonte dhe nuk arrinte të fliste”, tregoi Michel. “Edhe Esposto (zëvendësi i emëruar nga Papadia) ishte shumë i shqetësuar dhe më tha se Papadia kishte bërë gjithçka për përfitime financiare.”
Pikërisht zëvendësi Marco Esposto, duke regjistruar një bisedë me shefin e tij gjatë inspektimit, do ta fuste Papadian në telashe. Esposto, i emëruar “pa asnjë kompetencë”, pasi kuptoi mënyrën e lirshme të lëshimit të vizave, kishte frikë nga pasojat disiplinore dhe e pyeti shefin: “Më thuaj pse e bëre? E bëre për para? Sepse nëse kjo është arsyeja, atëherë ti do të paguash shkollën e fëmijëve të mi deri në dhjetor.”
Papadia iu përgjigj: “Më duheshin.”
Për hetuesit, kjo përgjigje përbën një pranim fajësie që i shtohet provave të tjera të mbledhura. Papadia u mbrojt duke thënë: “Regjistrimi duhet parë në kontekst. Ndodhi gjatë inspektimit, ndërsa në dhomën ngjitur ndodheshin inspektorët. Isha në gjendje të fortë shqetësimi dhe dobësie. U përpoqa ta qetësoja.”
Masa e arrestit u vendos edhe për shkak të rrezikut të arratisjes, pasi i dyshuari ishte interesuar për mundësinë e marrjes së një vize për në Rusi.
Tani prokurorët dhe Guardia di Finanza po vazhdojnë hetimet mbi rreth 400 praktika vizash dhe mbi pasurinë e Papadias, e vlerësuar rreth 3 milionë euro, për të cilën ai pretendon se vjen nga një trashëgimi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.