Spajiq dhe von der Leyen: Mali i Zi po përgatitet për rolin e ruajtësit të kufirit të jashtëm të BE-së
Me hapjen e Qendrës Kombëtare Koordinuese të Policisë Kufitare në Podgoricë, kryeministri Milojko Spajiq deklaroi se Mali i Zi po përgatitet për rolin e ardhshëm si rojë i kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, deklaroi se vendi është në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe vazhdon të forcojë kapacitetet që do t’i duhen pas anëtarësimit. Mesazhi u dha me rastin e hapjes së Qendrës Kombëtare Koordinuese të Policisë Kufitare në Podgoricë, siç raporton CdM.
“Në rrugën drejt BE-së – gjithmonë një hap përpara. Me hapjen e Qendrës Kombëtare Koordinuese të Policisë Kufitare, në Podgoricë, forcojmë mbrojtjen e kufijve tanë dhe përgatisim Malin e Zi për rolin e ardhshëm si rojë i kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian”, tha Spajiqi.
Krijimi i qendrës së re koordinuese shihet si hap kyç në modernizimin e policisë kufitare malazeze, e cila në të ardhmen do të bashkëpunojë ngushtësisht me Frontex-in dhe institucionet e tjera të sigurisë së BE-së.
Në të njëjtën frymë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shtoi se BE-ja po përgatitet për anëtarësimin e ardhshëm të Malit të Zi. “Po përgatitemi që kufijtë e Malit të Zi të bëhen kufij të Bashkimit Evropian”, deklaroi ajo, sipas njoftimit të qeverisë.
Spajiqi e përmbylli me bindjen se Mali i Zi do të vazhdojë të ecë me ritëm të lartë drejt Brukselit, duke shtuar se forcimi i sigurisë kufitare është një nga detyrat kryesore që i presin vendit në fazën përfundimtare të negociatave.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.