☀️
Tiranë 18°C · Kthjellët 15 May 2026
S&P 500 7,451 ▼0.66%
DOW 49,653 ▼0.82%
NASDAQ 26,446 ▼0.71%
NAFTA 100.82 ▲4.02%
ARI 4,562 ▼2.63%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1681 EUR/GBP 0.8688 EUR/CHF 0.9149 EUR/ALL 95.5366 EUR/MKD 61.6942 EUR/RSD 117.3980 EUR/TRY 53.1506 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6023 EUR/USD 1.1681 EUR/GBP 0.8688 EUR/CHF 0.9149 EUR/ALL 95.5366 EUR/MKD 61.6942 EUR/RSD 117.3980 EUR/TRY 53.1506 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6023
₿ CRYPTO
BTC $79,491 ▼ -2.47% ETH $2,231 ▼ -3.18% XRP $1.4483 ▼ -2.94% SOL $89.9700 ▼ -3.03%
S&P 500 7,451 ▼0.66 % DOW 49,653 ▼0.82 % NASDAQ 26,446 ▼0.71 % NAFTA 100.82 ▲4.02 % ARI 4,562 ▼2.63 % S&P 500 7,451 ▼0.66 % DOW 49,653 ▼0.82 % NASDAQ 26,446 ▼0.71 % NAFTA 100.82 ▲4.02 % ARI 4,562 ▼2.63 %
EUR/USD 1.1681 EUR/GBP 0.8688 EUR/CHF 0.9149 EUR/ALL 95.5366 EUR/MKD 61.6942 EUR/RSD 117.3980 EUR/TRY 53.1506 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6023 EUR/USD 1.1681 EUR/GBP 0.8688 EUR/CHF 0.9149 EUR/ALL 95.5366 EUR/MKD 61.6942 EUR/RSD 117.3980 EUR/TRY 53.1506 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6023
15 May 2026
Breaking
Kronika

SPAK jep detajet: Kush është i arrestuari për trafik droge nga operacioni i përbashkët Shqipëri–Danimarkë

Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka arrestuar një person dhe ka ekzekutuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj një tjetri, të caktuar nga Gjykata e Posaçme, pasi dyshohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ka trafikuar heroinë drejt Danimarkës në të paktën shtatë episode gjatë periudhës 1 tetor 2023 – 23 janar 2024..

Për njërin prej të dyshuarve, M. L. (alias G.), gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për shtetasin tjetër, E. L., është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Sipas hetimeve të SPAK, të zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, procedimi penal lidhet me një rrjet të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje heroine drejt Danimarkës, përmes Suedisë.

Të dy të dyshuarit akuzohen për veprat penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Hetimet kanë nisur në vitin 2024, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet daneze, të cilat më herët, në vitin 2023, kishin nisur operacionin e koduar “Bacchus”.

Lënda narkotike përzihej me substanca të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim shpërndarjen në tregun danez dhe rritjen e fitimeve.

Njoftimi i SPAK

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit ndaj dy shtetasve M. L., (alias G.,) dhe E. L, në kuadër të procedimit nr.55 të vitit 2024, për veprat penale:

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata me vendimin e saj nr. 28, datë 14.5.2026 vendosi caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin M. L., (alias G.), si dhe masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin E. L.

Hetimet lidhur me këtë procedim penal u realizuan në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Autoritetet daneze, në muajin gusht të vitit 2023 kanë regjistruar procedimin penal nr. 0100-71282-00102-23 – “Operacioni Bacchus”. Në hetim ishte një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj, të cilët në kuadër të grupit të strukturuar kriminal kanë zhvilluar aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë në Mbretërinë e Danimarkës.

Kjo veprimtari është shtrirë nga 1 tetor 2023 deri më 23 janar 2024, në 7 episode, gjatë të cilëve, anëtarët e grupit kriminal kanë importuar në Mbretërinë e Danimarkës heroinë përmes shtetit kufitar të Suedisë. Lënda narkotike e trafikuar, përgatitej për shitje në tregun danez, e përzierë me lëndë të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim maksimizimin e fitimeve.

Nga hetimet paralele të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, deri në këto momente është bërë e mundur identifikimi, procedimi në Danimarkë i 3 personave (dy shtetas shqiptarë dhe një i huaj), ndërsa në Shqipëri është mundësuar identifikimi i 2 (dy) shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Më 14.5.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimit personal për të dy shtetasit në hetim.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për administrimin e provave lidhur me mplikimin e personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.

Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë daneze si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mbështetjen e treguar”, njofton SPAK.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.