TEHERAN – Irani paralajmëron Egjiptin kundër ndërhyrjes në konfliktin në Jemen
TEHERAN, 21 tetor /ATSH-AFP/ – Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, paralajmëroi sot Egjiptin dhe vendet e tjera kundër çdo ndërhyrjeje në konfliktin në Jemen, ku rebelët Houthi, të mbështetur nga Teherani, luftojnë kundër qeverisë jemenase, e cila mbështetet nga Arabia Saudite.
“Egjipti ka përvojë të mjaftueshme për të shmangur përfshirjen në një konflikt kaq të ndërlikuar”, deklaroi Araghchi në një intervistë të transmetuar gjatë natës nga televizioni shtetëror irakian Al-Iraqiya.
Me kërkesë të presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sissi, parlamenti i Egjiptit pritet të votojë për autorizimin e mbështetjes ushtarake ndaj Arabisë Saudite në përballjen me rebelët Houthi.
Megjithatë, votimi, i planifikuar fillimisht për të dielën e kaluar, u shty për javën e ardhshme.
“Ne mendojmë se çdo prani apo ndërhyrje e huaj vetëm sa do ta vështirësojë zgjidhjen e këtij problemi”, theksoi ministri iranian.
Teherani ka propozuar ndërmjetësimin për zgjidhjen e konfliktit, por nisma është refuzuar nga qeveria jemenase dhe nuk ka marrë përgjigje nga Riadi.
Araghchi vuri në dukje se Egjipti ka deklaruar se nuk do të ndërhyjë në Jemen dhe nuk do të përfshihet në një luftë kundër këtij vendi.
Presidenti Sissi, nga ana e tij, ka shprehur gatishmërinë e Kajros për të ndihmuar aleatin saudit, duke theksuar se mbështetja do të kishte karakter thjesht mbrojtës.
Konflikti mes rebelëve Houthi dhe koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë jemenase të njohur ndërkombëtarisht, vazhdon prej më shumë se një dekade. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.