Tirana dhe Durrësi “mbysin” Kadastrën me kërkesa, sa aplikime janë bërë deri tani
Nga 2 shkurti deri më 27 prill 2026, për procesin e rivlerësimit të pronave kanë aplikuar gjithsej 9,532 qytetarë. Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nga ky proces në buxhetin e shtetit janë arkëtuar rreth 1.6 miliardë lekë, ose afro 16 milionë euro, vetëm nga pagesa e tatimit 5%.
Në total, për periudhën shkurt-prill, ASHK ka përllogaritur arkëtime prej rreth 3.2 miliardë lekësh, ose afërsisht 34 milionë euro.
Megjithatë, tatimi për rivlerësimin është paguar deri tani vetëm nga 22% e aplikuesve, konkretisht nga 2,114 qytetarë. Vlera e tatimit të transferuar në administratën tatimore nga këto pagesa arrin në 1.59 miliardë lekë.
Pjesa më e madhe e aplikimeve mbetet ende pa pagesë. Rreth 53% e tyre, ose 5,053 aplikime, janë përllogaritur nga ASHK, por tatimi nuk është shlyer ende. Ndërkohë, 25% e aplikimeve, ose 2,365 raste, janë refuzuar.
Aplikimet për rivlerësim janë përqendruar kryesisht në Tiranë dhe Durrës. Tirana mban peshën më të madhe me 42% të totalit të kërkesave, ndërsa 18% e tyre i përkasin Durrësit, Kavajës dhe Krujës. Vlora përfaqëson 6% të aplikimeve, Lezha 4.5%, Saranda 4% dhe Fieri po ashtu 4%.
Në rrethe rivlerësimi vijon me çmimet e vitit 2016
Ndryshe nga Tirana, ku rivlerësimi i pronave mund të kryhet me çmimet e referencës të ndryshuara në vitin 2023 për 32 zona kadastrale, në pjesën tjetër të vendit procesi vazhdon të bazohet te referencat e vitit 2016, të cilat mbeten ende në fuqi.
Kjo do të thotë se qytetarët në rrethe, edhe pse tregu i pasurive të paluajtshme ka pësuar rritje të forta të çmimeve, rivlerësimin përmes ASHK-së e kryejnë sipas vlerave të vjetra të referencës. Nëse kërkojnë që prona të rivlerësohet sipas çmimit real të tregut, procedura duhet të realizohet përmes një eksperti të licencuar.
Një shembull është Durrësi. Në zonën pranë portit është propozuar që çmimi i referencës të arrijë deri në 200 mijë lekë për metër katror, rreth 200% më i lartë krahasuar me vitin 2016. Megjithatë, për rivlerësimin që kryhet aktualisht përmes ASHK-së përdoret ende referenca ekzistuese prej 67,500 lekësh për metër katror.
Çmimet e reja ende pa miratim
Një hartë e re e çmimeve të referencës për rrethet u propozua gjatë vitit 2025, me rritje të ndjeshme në disa zona, veçanërisht në ato turistike dhe bregdetare. Drafti parashikonte ndarjen në më shumë zona kadastrale dhe përfshirjen për herë të parë të fshatrave si zona më vete me çmime reference të dedikuara.
Aktualisht, zonat rurale nuk kanë çmime reference të posaçme dhe për to përdoret çmimi i qytetit me ulje 35%.
Sipas propozimeve të publikuara, në Durrës çmimet do të varionin nga 45 mijë deri në 200 mijë lekë për metër katror, ndërsa zona si Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj do të kishin referenca deri në 190 mijë lekë/m².
Në jug të vendit janë propozuar çmime më të larta për zonat turistike, ku Dhërmiu dhe Palasa do të arrinin 140 mijë lekë/m², Vuno 100 mijë lekë/m² dhe Livadhi 81 mijë lekë/m². Për Ksamilin është propozuar çmimi më i lartë në zonën rurale të Sarandës, me 100 mijë lekë/m², ndërsa në Vlorë referencat për Radhimën dhe Orikumin do të arrinin 90 mijë lekë/m². Për Velipojën është propozuar 75 mijë lekë/m² dhe për zonën e Tales në Lezhë 70 mijë lekë/m².
Megjithatë, këto referenca të reja nuk kanë hyrë ende në fuqi dhe procesi i rivlerësimit në rrethe vazhdon të mbështetet te çmimet e vitit 2016.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.