Trajneri paralajmëron pretendentët për kreun e Kategorisë së Parë: Sopoti është i rrezikshëm
Bylisi luan sot në transfertë ndaj Sopotit, në një përballje që shënon nisjen e fazës së dytë të kampionatit për mallakastriotët. Skuadra e drejtuar nga Arlind Rustemi i ka dhënë fund përgatitjeve dhe është grumbulluar që prej ditës së djeshme, në prag të një sfide që vlerësohet me shumë kujdes në kampin verdheblu.
Objektivi është i qartë: nisja e fazës së dytë me tri pikë, për të vijuar garën për kreun e renditjes. Trajneri Arlind Rustemi dhe stafi i tij kanë punuar gjatë gjithë javës për të përgatitur sa më mirë këtë takim. Reshjet e shiut gjatë ditëve të fundit ua kanë vështirësuar disi punën, por nuk kanë ndikuar në programin stërvitor, i cili është ndjekur sipas planit. Bylisi vjen në këtë përballje me moral të lartë dhe me një ecuri pozitive, pasi skuadra vazhdon të ruajë të paprekur kolonën e humbjeve.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Arlind Rustemi ka vlerësuar vështirësinë e sfidës, duke theksuar se Sopoti është një kundërshtar që nuk duhet nënvlerësuar, sidomos për shkak të ndryshimeve në stafin teknik dhe nevojës së madhe për pikë. “Na pret një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtar që vjen pas një ndryshimi në stafin teknik dhe që ka një nevojë të madhe për pikë, duke parë pozitat e tij në tabelë.
Këto rrethana mund të sjellin një motivim të veçantë dhe një reagim të fortë nga ana e tyre. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe e kemi përgatitur ndeshjen me seriozitetin maksimal. Duhet të jemi të përqendruar, të disiplinuar dhe të gatshëm për të përballuar çdo situatë që mund të paraqitet gjatë lojës. Respektojmë kundërshtarin dhe vështirësitë e kësaj sfide, por besojmë te puna jonë, te cilësitë e skuadrës dhe te mënyra si jemi përgatitur.
Objektivi ynë është të zhvillojmë një ndeshje të mirë, të ruajmë identitetin tonë në fushë dhe të bëjmë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv”, u shpreh Rustemi. Bylisi synon ta nisë me këmbën e mbarë fazën e dytë, pasi ambicia e mallakastriotëve është të luftojnë deri në fund për vendin e parë dhe rikthimin në elitë. Dy përballjet e para të kësaj faze konsiderohen të rëndësishme për vazhdimësinë, por në kampin verdheblu nuk ka vend për eufori apo nënvlerësim të kundërshtarëve.
Rustemi dhe stafi i tij kanë kërkuar përqendrim dhe angazhim maksimal nga futbollistët, duke e konsideruar çdo ndeshje si një finale më vete. Ndërkohë, në transfertën ndaj Sopotit pritet të jenë të pranishëm edhe tifozët besnikë të Bylisit, të cilët e kanë shoqëruar skuadrën në vazhdimësi, edhe në udhëtimet më të largëta. Mbështetja e tyre pritet të jetë një tjetër motivim për mallakastriotët, që kërkojnë të marrin tri pikët dhe të vazhdojnë marshimin drejt kreut të Kategorisë së Parë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.