TURQI – Reshjet e dendura përmbytin Stambollin, rrëshqitje dherash në disa zona
STAMBOLL, 14 tetor /ATSH-AA/- Reshjet e dendura të shiut shkaktuan sot përmbytje të mëdha në Stamboll, duke mbuluar rrugët dhe nënkalimet me ujë, bllokuar automjete dhe shkaktuar rrëshqitje dherash në disa zona të qytetit.
Në shumë lagje, rrugët u mbuluan nga uji, ndërsa në disa zona përmbytjet depërtuan në apartamentet në katet para dhe në bodrume, raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu”.
Zyra e Guvernatorit të Stambollit njoftoi në rrjetin social X se deri në mbrëmje ishin regjistruar më shumë se 1000 telefonata për ndihmë emergjente.
Qytetarët raportuan përmbytje, rrëshqitje dherash, rrëzime pemësh dhe incidente të tjera.
Guvernatori Davut Gül pezulloi mësimin fizik në shkolla për ditën e enjte.
Gjithashtu, nga mbrëmja e sotme, u ndalua qarkullimi i mjeteve me dy rrota.
Sipas zyrës së guvernatorit, në terren u angazhuan rreth 8 000 punonjës të shërbimeve të emergjencës, si dhe 2 000 automjete dhe makineri pune.
Në lagjen Sarıyer, disa pasagjerë të një autobusi u detyruan të ngjiteshin në çatinë e tij, pasi mjeti mbeti i bllokuar në ujërat e përmbytjes.
Edhe automjete të tjera nuk mundën të lëviznin për shkak të nivelit të lartë të ujit, raportoi “Anadolu”.
Pamjet filmike treguan makina dhe autobusë të shumtë të rrethuar nga uji, niveli i të cilit ishte rritur ndjeshëm. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.