Ministri Demo viziton efektivët te Trauma, 51 policë të lënduar nga protesta: Dhuna ndaj efektivëve është e papranueshme!
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka shkuar në Spitalin Ushtarak për të takuar efektivët e Policisë së Shtetit të lënduar gjatë protestës së sotme.
Sipas tij, 51 punonjës policie kanë mbetur të lënduar gjatë incidenteve, ndërsa disa prej tyre po marrin ende trajtim mjekësor.
Reagimi i Ervin Demos:
“51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës së sotme. Disa prej tyre ndodhen aktualisht në Spitalin Ushtarak, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj.
Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi.
Ju uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar! Jemi pranë jush dhe familjeve tuaja.
Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.