Vakanca në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kuvendi sqaron procedurat për kandidaturat
Kuvendi Shqipërisë përmes një postimi në “Facebook” ka shpallur një vend vakant për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kuvendi ka sqaruar se
Kuvendi Shqipërisë përmes një postimi në “Facebook” ka shpallur një vend vakant për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kuvendi ka sqaruar se përzgjedhja e anëtarëve nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës përbën një procedurë me rëndësi të veçantë për përfaqësimin e integritetit profesional, akademik dhe etik në këtë organ kushtetues.
Më tej në njoftim fton paraqitjen e kandidaturave për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë individët që plotësojnë kushtet.
Brenda afatit të parashikuar, pedagogët e interesuar dhe personat e lidhur me ta së bashku me deklaratën e pasurisë duhet të paraqesin pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të gjithë dokumentet që justifikojnë vërtetësinë e deklarimeve dhe burimin e ligjshëm të krijimit të pasurive.
Dokumentacioni i paraqitur nga kandidati duhet të jetë në gjuhën shqipe, origjinal ose fotokopje e noterizuar e tij.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për shpalljen e një vendi vakant për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga turpa e petagogëve të fakultetit të drejtesisë dhe shkollës së magjistraturës.
Në zbatim të nenit 149 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të neneve 134, 135 dhe 137 të ligjit nr. 115/2016, datë 03.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, me Vendimin nr. 2, datë 22.04.2026, ka vendosur shpalljen e një vendi vakant për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është organ kushtetues i qeverisjes së sistemit të prokurorisë, i cili ushtron funksionet e tij në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, me qëllim garantimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe funksionimit të rregullt të sistemit të prokurorisë.
Në këtë kuadër, përzgjedhja e anëtarëve nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës përbën një procedurë me rëndësi të veçantë për përfaqësimin e integritetit profesional, akademik dhe etik në këtë organ kushtetues.
Ftohen për paraqitjen e kandidaturave për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë individët që plotësojnë kushtet e mëposhtme e nenit 134 të ligjit nr. 115/2016, datë 03.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar :
a) të jenë shtetas shqiptarë;
b) të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë profesionale si jurist;
c) në kohën e kandidimit, të jenë pedagogë me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë ose pedagogë të brendshëm ose pedagogë të jashtëm jomagjistratë në Shkollën e Magjistraturës;
ç) të jenë personel akademik të kategorisë “profesor” ose “lektor”;
ç/1) të mos kenë masë disiplinore në fuqi, të mos jenë shkarkuar më parë nga detyra si rezultat i një mase disiplinore, në rastin e ish-magjistratëve të kenë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ose të mos kenë dhënë dorëheqjen pa iu nënshtruar këtij procesi, ndërkohë që kanë qenë subjekt rivlerësimi në përputhje me ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të mos jenë skualifikuar më parë nga pozicione të ndryshme për shkak të verifikimit të pasurisë dhe figurës, sipas kërkesave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
d) në kohën e kandidimit, të mos jenë rektor ose Drejtor i Shkollës së Magjistraturës;
dh) të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
e) të mos kenë qenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë) të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike përpara kandidimit;
f) të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
g) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve inteligjente;
gj) në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.
Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e kërkuar si dhe çdo dokument tjetër që provon plotësimin e kushteve sipas përcaktimeve të neneve 134 dhe 137 të ligjit nr. 115/2016, datë 03.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar.
Propozimi për çdo kandidaturë duhet të përmbajë dokumentacionin si më poshtë:
1. Kopje te Pasaportës ose Kartës së Identitetit;
2. Jetëshkrim të përditësuar, të nënshkruar në çdo faqe nga kandidati;
3. Librezën e punës dhe/ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të përvojës në punë prej jo më pak se 15 vitesh si jurist;
4. Vërtetim që në kohën e kandidimit, kandidati është pedagog me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë ose pedagog i brendshëm ose i jashtëm jomagjistrat në Shkollën e Magjistraturës;
5. Vërtetim që është personel akademik i kategorisë “profesor” ose “lektor”;
6. Vërtetim që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
7. Vërtetim nga çdo punëdhënës i mëparshëm që provon se kandidati nuk është shkarkuar më parë nga detyra si rezultat i një mase disiplinore;
8. Në rastin e ish-magjistratëve, kandidati duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit sipas formularit bashkëlidhur këtij njoftimi, ku të deklarojë se ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ose që nuk ka dhënë dorëheqjen pa iu nënshtruar këtij procesi, ndërkohë që kanë qenë subjekt rivlerësimi në përputhje me ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe ta shoqërojë sipas rastit me dokumentacionin provues;
9. Formularin e vetëdeklarimit bashkëlidhur këtij njoftimi ku të deklarojë se kandidati nuk është skualifikuar më parë nga pozicione të ndryshme për shkak të verifikimit të pasurisë dhe figurës sipas kërkesave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
10. Deklaratën e konfliktit të interesit, në lidhje me nenin 134, pika 2 gërma d), ë), g) dhe gj) sipas formularit bashkëlidhur këtij njoftimi;
11. Vërtetim të gjendjes gjyqësore;
12. Një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë në rast se zgjidhet;
13. Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe bashkëlidhur këtij njoftimi;
14. Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr. 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi;
15. Çdo dokument tjetër që provon përmbushjen e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 134 të ligjit nr. 115/2016, të ndryshuar.
Sipas përcaktimeve të pikës 4 dhe 5 të nenit 137 të ligjit nr. 115/2016, datë 03.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, pedagogët e interesuar brenda 15 ditëve nga shprehja e interesit duhet të dorëzojnë deklaratën e pasurisë dhe interesave private për kontrollin e pasurive të kandidatëve për pozicione të ndryshme në institucionet e drejtësisë në përputhje me nenin 3/1 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, si dhe formularin e vetëdeklarimit për zbatimin e ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar.
Brenda afatit të parashikuar më lart, pedagogët e interesuar dhe personat e lidhur me ta së bashku me deklaratën e pasurisë duhet të paraqesin pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të gjithë dokumentet që justifikojnë vërtetësinë e deklarimeve dhe burimin e ligjshëm të krijimit të pasurive.
Institucionet e arsimit të lartë që kanë në përbërje të tyre, si njësi kryesore, fakultete të drejtësisë të akredituara sipas legjislacionit në fuqi, si dhe Shkolla e Magjistraturës, jo më vonë se 7 ditë nga shpallja e vendeve vakante të fillojnë procedurat për shpalljen e thirrjeve të interesit, për depozitimin e kandidaturave dhe të dokumentacionit përkatës, si dhe për verifikimin e përmbushjes së kritereve ligjore nga kandidatët, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar.
Deklarimi i rremë, përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.