VARSHAVË – Ambasadorët e Polonisë në Kinë dhe Rumani japin dorëheqjen në shenjë proteste ndaj krizës në Gjykatën Kushtetuese
VARSHAVË, 31 tetor /ATSH-PAP/- Ambasadorët e Polonisë në Kinë dhe Rumani kanë njoftuar dorëheqjen e tyre, në shenjë kundërshtimi ndaj konfliktit politik në Varshavë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese të vendit, i cili u përshkallëzua ndjeshëm gjatë natës.
“Duke pasur parasysh përpjekjen për të marrë në mënyrë të paligjshme kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, nuk shoh më asnjë mundësi për të vazhduar detyrën si ambasador i Republikës së Polonisë në Rumani”, shkroi sot në rrjetin social X ambasadori polak në Bukuresht, Pawel Soloch.
Disa orë më parë, edhe homologu i tij në Kinë, Jakub Kumoch, kishte njoftuar në X se nuk mund të vazhdonte më punën si ambasador, duke dhënë arsye të ngjashme.
Sipas agjencisë polake të lajmeve PAP, të dy diplomatët kishin punuar më parë për ish-presidentin Andrzej Duda, i cili drejtoi vendin nga viti 2015 deri në vitin 2025.
Ashtu si pasardhësi i tij, Karol Nawrocki, Duda ishte i afërt me partinë konservatore nacionaliste “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), e cila qeverisi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023 dhe emëroi në Gjykatën Kushtetuese gjyqtarë që mbështesnin qëndrimet politike të kësaj force.
Presidenti Nawrocki ndërpreu vizitën e planifikuar në Senegal dhe u kthye në kryeqytet dje në mbrëmje, ndërsa tensionet u rritën pas njoftimit në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese se kryetari i saj, Bogdan Swieczkowski, dhe zëvendësi i tij ishin pezulluar përkohësisht nga detyra.
Qindra demonstrues u mblodhën të premten në mbrëmje para ndërtesës së gjykatës për të kundërshtuar vendimin që Anna Korwin-Piotrowska, një prej pesë gjyqtarëve të emëruar së fundmi nga parlamenti aktual, por që nuk njihet nga presidenti Nawrocki, të zëvendësonte përkohësisht kryetarin Swieczkowski.
Policia rrethoi ndërtesën, por Nawrocki arriti të hynte në të pas mbërritjes në kryeqytet. Në një video të publikuar shihet se ai përdori forcë për të siguruar hyrjen.
Koalicioni i qendrës së majtë, i drejtuar nga kryeministri Donald Tusk, që mori pushtetin në vitin 2023, po përpiqet të ndryshojë reformat e debatueshme në sistemin gjyqësor, të ndërmarra gjatë qeverisjes së partisë “Ligj dhe Drejtësi” (PiS). /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.