Kronika

Vazhdon operacioni antidroge ne Dukagjin

Ka hyrë në ditën e tij të dytë operacioni policor anticannabis, që po zhvillohet  në zonën e largët malore të Dukagjinit, në rrethin e Shkodrës. 450 forcat e policisë vendore, të mbështetura edhe nga forcat speciale të policisë “Renea” dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë janë përqedruar sot në territorin e fshatrave të ish komunës Shosh, ku mendohet se gjendet edhe numri më i madh i parcelave të mbjella me bimën narkotike cannabis sativa.

Në ditën e parë të operacionit  policia shkatërroi me djegie 150 parcela me rreth 18 mijë bimë narkotike, në një lartësi nga 60 cm deri në 2,4 m. Gjithashtu, dje pasdite policia shpalli në kërkim një shtetas, banor i fshatit Vuksanaj, pasi gjatë kontrollit të territorit forcat e policisë zbulua në pronën e tij një sasi prej rreth 2 mijë bimë narkotike si dhe municion luftarak.

Edhe një vit më parë, policia e shtetit zhvilloi në zonën malore të Dukagjinit një operacion të gjërë për shkatërrimin me djegie  të parcelave të drogës, që zgjati mbi 10 ditë dhe që përfundoi me shkatërrimin e më shumë se 100 mijë rrënjë të bimës narkotike.

Operacioni anticannabis, që vazhdon edhe sot në zonën  e Dukagjinit, po ndiqet nga afër nga drejtues të lartë të policisë së shtetit, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet operacioni për forcat e policisë, të cilat, një vit më parë, u qëlluan nga një grup i armatosur , i cili qëlloi edhe ndaj një helikopteri të policisë të përfshirë në operacion.

Sipas të dhënave të policisë, Shkodra vazhdon të renditet në krye të zonave përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike. Ndryshe nga Lazararti, ku bimët narkotike kultivoheshin në brendësi të fshatit, në Shkodër zonat e kultivimit të drogës kanë shtrirje mjaft të gjerë, duke filluar nga Guri i Zi, rreth 7 kilometër pranë qytetit të Shkodrës e deri në fshatrat me të largët të Dukagjinit, ku bimët narkotike vazhdojnë të mbillen në parcela të vogla, pa pronar, larg zonave të banuara dhe në brendësi të siperfaqeve pyjore. Kjo është edhe arsyeja që policia e ka shumë të vështirë të identifikojë dhe arrestojë kultivuesit e drogës, të cilët, në më të shumtën e rasteve nuk janë banorë të zonës.

Kultivuesit e drogës kanë zgjedhur prej vitesh zonën malore të Shkodrës për shkak edhe të afërsisë së saj me kufirin shtetëror me Malin e Zi dhe Kosovën, ku ata trafikojnë sasitë më të mëdha të cannabisit, duke bashkëpunuar me trafikantët e rajonit.

Problemi i kultivimit të drogës në jug 

Policia shqiptare ka dyshime se grupe kriminale kontrollojnë kultivimin e vatrave me narkotikë në disa zona në Jug të Shqipërisë. Ekspertë të antidrogës i mbështesin dyshimet me përhapjen e mjaft vatrave me marijuanë në zona që nuk banohen nga banoret ,madje ku mungon edhe krahu i punës. Po kështu dyshimet shtohen për disa zona të mbjella në zonat kufitare me Greqinë ku veprojnë prej vitesh grupet e transportimit të narkotikëve drejt Greqisë.

Policia dyshon se grupet e trafikut të lëndëve narkotike janë angazhuar këtë vit krahas grumbullimit dhe shitjes së marijuanës edhe në aktivitetin e kultivimit .Këto grupe kanë fuqi financiare nga trafiku i viteve të shkuara dhe paguajnë banorë të zonës për të kultivuar në zona të thella marijuanë,vlerësojnë ekspertë të antidrogës.Ky aktivitet mund t`i fuqizojë këto rrjete që të shtrijnë aktivitetin e tyre kriminal dhe ta bëjnë atë më fitimprurës.

Policia po i shtrin ditët e fundit operacionet për shkatërrimin e sipërfaqeve me lëndë narkotike në brezin e kufirit tokësor me Greqinë edhe në Sarandë. Qindra bimë marijuane janë zbuluar në fshatrat buzë kufirit me Greqinë në këtë rreth.

Mijëra bimë narkotike janë shkatërruar në 24 orët e fundit edhe në Delvinë, Tepelenë dhe Vlorë. Vetëm në zonën e Progonatit,në Tepelenë forcat policore të ndihmës së shpejtë kanë shkatërruar rreth 2.800 bimë narkotike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button