Vdekja e 16-vjeçarit në restorant në Fushë-Krujë, arrestohen kamarieri dhe pronari i lokalit
Dy persona janë vënë në pranga në Fushë Krujë pas vdekjes së një 16-vjeçari në restorantin ku ishte i punësuar si kamarier. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në një lokal në fshatin Arrameras.
Referuar njoftimit zyrtar të policisë, 26-vjeçari E. S., gjithashtu kamarier, ka shtyrë të miturin brenda në ashensor. Për pasojë ashensori është këputur dhe 16-vjeçari ka ndërruar jetë.
“Arrestimet u kryen pasi dyshohet se më datë 11.10.2026, në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, në restorantin në pronësi të shtetasit A. V., shtetasi E. S., kamerier i lokalit, ka shtyrë me duar një 16-vjeçar (i punësuar kamerier në lokal), brenda në ashensor, dhe si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari ka humbur jetën”, njofton policia.
Përveç 26-vjeçarit, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”, personi i dytë i arrestuar është pronari i restorantit, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.