VIDEO/ Mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së, Peleshi zbulon risitë e Kuvendit për sesionin e ri
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ka paraqitur bilancin e punës së parlamentit gjatë dy sesioneve të para të kësaj legjislature, në mbledhjen e përbashkët të qeverisë dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave.
Peleshi tha se Kuvendi ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, duke theksuar se kjo legjislaturë është e lidhur ngushtë me rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Nëse do ta përkufizonim këtë legjislaturë me një fjali, kjo është legjislatura e integrimit europian. Asnjëherë më parë puna e Kuvendit nuk ka qenë kaq e lidhur me procesin e negociatave”, u shpreh Peleshi.
Sipas tij, gjatë dy sesioneve të para janë miratuar 131 ligje, rreth 40 më shumë se në të njëjtën periudhë të legjislaturës së kaluar. Peleshi u ndal te procesi i negociatave me Bashkimin Europian, duke thënë se Kuvendi ka miratuar amendamente dhe ka monitoruar ecurinë e kapitujve negociues.
“Në këto dy sesione kemi punuar mbi tre funksionet themelore të Kuvendit të përcaktuara nga Kushtetuta: funksionin legjislativ, funksionin mbikëqyrës dhe funksionin zgjedhës. Në këto tre drejtime besoj se kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara. Gjatë dy sesioneve të para të legjislaturës janë miratuar 131 ligje, afro 40 ligje më shumë sesa dy sesionet e fundit të legjislaturës së kaluar. Kemi shqyrtuar dhe miratuar pozicionet negociuese të Shqipërisë, kemi monitoruar vazhdimisht ecurinë e procesit të negociatave dhe kemi zhvilluar dhjetëra seanca dëgjimore me ministrat dhe ekipet negociatore. Ky është një sukses kombëtar, është një sukses i qeverisë shqiptare, i Kuvendit dhe i gjithë shoqërisë shqiptare”, tha Peleshi
Peleshi deklaroi se Kuvendi po përgatitet edhe për ndërtimin e një godine të re parlamentare, duke bërë të ditur se pritet të shpallet një konkurs ndërkombëtar për projektin në fund të shtatorit ose fillim të tetorit.
“Sa i përket ambicies sonë për një godinë të re të Parlamentit shqiptar, kemi ndërtuar bashkëpunimin me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Korporatën Shqiptare të Investimeve. Kemi nxjerrë termat e referencës dhe kemi punuar mbi to, duke shfrytëzuar edhe bazën e të dhënave nga konkurset e mëparshme arkitekturore, të cilat kanë nevojë për rifreskim, sidomos në aspektin e teknologjive të reja. Sipas planifikimit tonë, në fund të shtatorit ose fillim të tetorit do të jemi gati për të shpallur një konkurs ndërkombëtar për një godinë të re të Parlamentit shqiptar”, tha Peleshi.
Peleshi tha se është ndryshuar mënyra e kontrollit parlamentar, duke kaluar nga shqyrtimi formal i raporteve në vlerësimin e performancës së institucioneve dhe zbatimit të rekomandimeve.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit ai ia kushtoi modernizimit të Kuvendit përmes teknologjisë. Sipas tij, është vendosur sistemi i transkriptimit automatik me inteligjencë artificiale, ndërsa deri tani janë transkriptuar 287 mbledhje komisionesh me rreth 486 orë material.
“Për herë të parë kontrolli parlamentar nuk zhvillohet vetëm si reagim ndaj ngjarjeve, por mbi bazën e një planifikimi strategjik që merr në konsideratë prioritetet kombëtare, rekomandimet e Bashkimit Europian dhe nevojën për një mbikëqyrje më efektive. Janë vlerësuar 119 kandidatura dhe janë mbështetur procedurat për plotësimin e 20 vakancave. Në të gjitha këto procese kemi ndjekur një parim të qartë: meritën, transparencën dhe respektimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjit. Një nga arritjet më të rëndësishme të vitit 2026 ka qenë implementimi i sistemit të transkriptimit automatik në kohë reale të veprimtarisë parlamentare nëpërmjet inteligjencës artificiale”, tha a.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.