Vijon prej ditësh zjarri në Gjinar, banorët kërkojnë ndërhyrje nga ajri (VIDEO)
Zjarri që prej disa ditësh ka përfshirë malet e Gjinarit në Elbasan vijon të jetë aktiv, ndërsa flakët po përhapen në zona të thella dhe me terren të thyer.
Kushtet e vështira të terrenit po pengojnë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse në të gjitha vatrat, ndërsa era e fortë dhe bimësia, kryesisht pyjet me pisha, favorizojnë përhapjen e flakëve.
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për situatën, e cila sipas tyre është përkeqësuar gjatë orëve të fundit. Ata kërkojnë ndërhyrje nga ajri, duke theksuar nevojën për përdorimin e helikopterëve ose avionëve për të frenuar avancimin e zjarrit.
Sipas banorëve, nëse flakët vijojnë të përhapen me të njëjtin ritëm, rreziku mund të afrohet edhe pranë zonave të banuara.
Ndërkohë, në terren vijojnë të jenë të angazhuara forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për mbajtjen nën kontroll të vatrave aktive. Megjithatë, aksesi i kufizuar në disa prej zonave të përfshira nga zjarri e vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen me mjete tokësore.
Banorët apelojnë për përshpejtimin e ndërhyrjes nga ajri, me qëllim izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit drejt zonave të banuara.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.