Vllaznia-Teuta në RTSH, Musta: Renditja nuk ka rëndësi, duam fitoren
Emiljano Musta ka folur për mediat në prag të ndeshjes së nesërme kundër Teutës, që do të luhet nesër në orën 18:30 në “Loro Boriçi” dhe do të transmetohet në RTSH. Mbrojtësi i Vllaznisë pranon se skuadra nuk e ka nisur mirë sezonin, por kampionati është i gjatë dhe shkodranët do të ringrihen dhe janë një nga skuadrat pretendente për titullin kampion.
“Besoj se nuk është momenti i duhur për të thënë se kush është i pari dhe kush është i fundit. Janë vetëm katër javë kampionat. Nuk besoj që është renditja që tregon vlerat aktuale të çdo ekipi.
Patjetër që skuadra është gati se kemi lojtarë me eksperiencë. E kemi nisur pak keq. Është pak e vështirë sepse kemi lënë disa pikë, por mendoj se kemi forca të ringrihemi dhe të rikthehemi sërish te fitorja.
Nga eksperienca ime, mbase është pjesa e grupit që ka shumë afrime dhe shumë largime. Çdo gjë kërkon kohën e vet, por futbolli nuk të fal sepse kërkon rezultate sa më të shpejta. Besoj do ringrihemi shumë shpejt.
Teutën e respektojmë. Është ekip mjaft i mirë, i investuar, me trajner mjaft të mirë, por ne do shkojmë për fitore.
Patjetër që e shoh Vllazninë si pretendente, sidomos edhe me formulën e kampionatit që gjithsecili pretendon që të jetë pretendent, por duke parë cilësitë edhe lojtarët, eksperiencën, ambientin dhe tifozët sa e duan ekipin, është mëkat që Vllaznia të mos jetë pretendente. Kështu që jemi”, ka thënë mes të tjerash Musta.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.