Vlora Hyseni nga Kosova në Shqipëri?! Gjyli: Si u vendos në krye të SHISH
Analistja dhe pedagogia Arsejda Gjyli, e ftuar në emisionin Review me Greta Topjana në Euronews Albania, ka komentuar masën e pezullimit ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni.
Gjyli theksoi se për sa kohë cënohet informacioni shtetëror, çështja kalon në një nivel të lartë të sigurisë kombëtare.
Më tej, ajo ngriti pikëpyetje të forta mbi kriteret e përzgjedhjes së Vlora Hysenit, duke kujtuar se kjo e fundit ka mbajtur më parë postin e zëvendësdrejtoreshës në AKI në Kosovë, nga ku është pezulluar nga ish-presidentja Osmani dhe më pas u shkarkua nga Kryeministri Kurti.
“Dhe fakti që automatikisht qytetarët shqiptarë ndjehen të cënuar deri në këtë pikë sa i takon pjesës së informacioneve të klasifikuara, automatikisht kjo përbën një çështje të një niveli të lartë. Është një çështje në hetim, po flasim që është lëshuar një masë sigurie, jo një masë fajësie, në termat që nuk mund të dalim në një përfundim definitiv për të thënë se cilat janë akuzat e provuara të formës së prerë. Por ka dy akuza të cilat ngrihen për ish- drejtoreshën e SHISH-it: e para e lidhin atë me përkrahjen e aktorë të cilët kanë dosje dhe po hetohen në SPAK, dhe nga ana tjetër dyshim për rrjedhje të informacionit të klasifikuar.
Dhe për këtë automatikisht shkojmë tek një masë e cila pezullon atë nga detyra, pra çohet kërkesa për pezullim nga detyra dhe automatikisht ajo është pezulluar nga detyra nga Presidenti i Republikës. Pra kjo është tabloja.
Ajo që na intereson në këtë pikë është siguria kombëtare. Po a kemi shkuar vërtetë deri në këto nivele? Mbi ç’kritere është marrë emërimi dhe mbi ç’kritere është bërë përzgjedhja për këtë zyrtare e cila është e një niveli kaq të lartë, dhe mbi ç’kritere nivelet ekzekutive përzgjidhen për të qenë në ato pozicione ku janë?
Zonja ka mbajtur dhe një pozicion në Kosovë, atë të AKI-së, që është prapë një institucion shumë i lartë i informacionit, ka qenë zv. drejtoreshë atje dhe është pezulluar nga ish-presidentja, zonja Osmani, dhe pastaj nga ky vendim është shkarkuar dhe pak muaj më vonë nga zoti Kurti. Kështu që jemi tek pika që mbi ç’kritere ngrihet, dhe ajo që duam ne të kuptojmë është: mbi ç’kritere vendosen individët të cilët mbajnë peshë publike dhe individët që mbajnë peshë ekzekutive në këto institucione drejtuese?”, u shpreh ajo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.