Vonesa e pagave të magjistratëve, Financat kërkojnë listëpagesat sipas skemës së korrikut: Thesari nuk mund të zëvendë
Vonesat në pagat e muajit gusht për magjistratët dhe stafin e sistemit të drejtësisë kanë nxjerrë në pah përplasjen mbi mënyrën e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pagat.
Në një shkresë drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministria e Financave kërkon që listëpagesat e gushtit të paraqiten me të njëjtët parametra të përdorur në muajin korrik.
Shkak për situatën është bërë ndryshimi i pagës referuese bazë të aplikuar nga disa institucione, të cilat e kanë lidhur atë me vendimin nr. 15 të Gjykatës Kushtetuese, të 17 shkurtit 2026.
Ministria argumenton se vendimi i Kushtetueses i kërkon Kuvendit të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore për përshtatjen e pagave të magjistratëve dhe se Thesari nuk mund të zëvendësojë ligjvënësin duke përcaktuar vetë formulën e re të pagës.
Financat mohojnë se verifikimet e kryera nga Thesari kanë synuar bllokimin e pagave, duke theksuar se qëllimi ka qenë garantimi i ligjshmërisë dhe njëtrajtshmërisë së pagesave.
Ministria garanton se, pas dorëzimit të listëpagesave sipas parametrave të korrikut, pagesat do të kryhen me përparësi. Ndërsa pas miratimit të ndryshimeve ligjore nga Kuvendi, do të llogariten dhe paguhen edhe diferencat që mund të rezultojnë për periudhat e mëparshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.