Aktakuzë ndaj 9 policëve në Veles, të cilët shpërfillën denoncimet e Rosica Kocevës për dhunë në familje
Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë zyrtarëve policorë në Veles, të akuzuar se për shtatë muaj nuk vepruan ndaj denoncimeve të Rosica Kocevës për dhunë në familje, para se ajo dhe babai i saj të vriteshin nga ish-partneri i saj.
Më shumë se një vit pas vrasjes së Rosica Kocevës nga ish-partneri i saj, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë zyrtarëve policorë në Veles, siç njofton Alsat. Ata akuzohen se nuk e mbrojtën viktimën, edhe pse ajo kishte denoncuar vazhdimisht dhunën në familje, dhe se për shtatë muaj me radhë policia nuk mori masat e nevojshme, deri sa rasti përfundoi në tragjedi.
Sipas Prokurorisë, me mosveprimin e tyre, zyrtarët policorë kanë cenuar të drejtën e Rosica Kocevës për jetë, e garantuar me Kushtetutë, si dhe të drejtat e përcaktuara në nenet 2 dhe 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Alsat citon Prokurorinë se ata nuk vepruan siç duhet ndaj denoncimeve, duke mos respektuar Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, rregulloret për vlerësimin e rrezikut serioz dhe për kryerjen e punëve policore, si dhe Ligjin për Policinë.
Prokuroria thekson gjithashtu se zyrtarët nuk respektuan as masat gjyqësore të shqiptuara për mbrojtjen e viktimës nga dhuna në familje. Sipas saj, edhe pse kishin prova, disa nga të akuzuarit nuk njoftuan prokurorin publik kompetent dhe nuk nisën asnjë procedurë, ndërsa provat i mbajtën në ambientet e Njësisë së Punëve të Brendshme – Sektori për Punë të Brendshme Veles. Ata do të gjykohen për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar” dhe “Moszbatim të Vendimit Gjyqësor”, siç njofton Alsat.
Rasti tronditi opinionin publik, pasi vrasjes së 31-vjeçares Rosica Koceva dhe babait të saj, në shtator 2025, i kishin paraprirë muaj denoncimesh për dhunë, kërcënime dhe përndjekje nga ish-partneri, i cili më pas i mori jetën vetes. Ajo kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet, ndërsa vetëm pesë ditë para vrasjes, ish-partneri ishte dënuar me kusht për dhunë dhe rrezikim të sigurisë së saj. Tragjedia shkaktoi reagime të shumta për shpërfilljen e denoncimeve të përsëritura dhe për dështimin e institucioneve në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Gjatë ditës së sotme, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave bënë të ditur se gjatë vitit 2026 në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar shtatë raste të femicidit. Ato kërkojnë masa konkrete institucionale, ndryshime urgjente ligjore, ndarjen e të paktën 200 milionë denarëve në buxhetin e vitit 2027, si dhe hetime të pavarura për çdo rast, për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme të institucioneve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.