Politika

Ambasadorja Yu: Investimet kineze në Fier, jo vetëm në industrinë e naftës

Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi priti sot ambasadoren e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu dhe përfaqësuesit e kompanisë Geo – Jade, që kanë blerë të gjitha aksionet e kompanisë kanadeze të naftës Bankers Petroleum.

Ambasadorja Yu u shpreh optimiste për këtë hap të ri të hedhur nga kompania kineze në Shqipëri dhe pikërisht në Fier, që do të jetë një mundësi mjaft e mirë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shtrirjen e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera, që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, kulturor e turistik të vendit.

Industria e naftës që është një fushë jo vetëm e njohur, por dhe e prekur tashmë nga investitorë të fuqishëm kinezë, siç është kompania Geo-Jade Petroleum Corporation nuk do të jetë e vetme në interesin e investitorëve nga lindja e largët. Fushat prioritare si mundësi bashkëpunimi dhe investimi, të serviruara nga kryetari, Armando Subashi, mbi të cilat pritet të ecë zhvillimi ekonomik dhe territorial i Bashkisë Fier, u panë me shumë interes nga ambasadorja Yu si dritare të reja bashkëpunimi me Fierin, pas asaj të sapo krijuar në fushën e naftës, që do të garantojnë jo vetëm një bashkëpunim të suksesshëm, por dhe një miqësi të ngushtë mes dy vendeve.

Investime dhe bashkëpunime në fushën e bujqësisë, agropërpunimit dhe prodhimit të plehrave kimike do të jenë mundësi të arta për lulëzimin e bujqësisë dhe biznesit familjar. Turizmi bregdetar dhe historik (arkeologjik) mori gjithashtu një vëmendje të veçantë, duke patur parasysh një vijë bregdetare të gjatë dhe të virgjër, investimi mbi të cilën do të ishte një vlerë e shtuar në resurse dhe një e ardhur e garantuar për ekonominë e zonës dhe gjithë rajonit të Fierit.

Subashi garantoi ambasadoren dhe në veçanti përfaqësuesit e kompanisë Geo-Jade, se do të jenë të mirëpritur në bashki për çdo problem dhe bashkëpunim të mundshëm, duke siguruar për një klimë miqësore që do të ndikojë pozitivisht në shtrirjen dhe fuqizimin e investimit të tyre në rajonin e Fierit.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Geo Jade, Timothy Luo u shpreh gjithashtu për një marrëdhënie korrekte dhe bashkëpunuese, e cila do të ridimensionojë miqësinë dhe bashkëpunimin e ri me Bashkinë Fier.

Kompania Geo-Jade, që do të ketë kontrollin e naftës në Shqipëri, është një nga korporatat më të mëdha kineze të listuara në bursën e Shangait. Kapitali i saj llogaritet në rreth 3.6 miliard dollarë. Kjo kompani ka bërë disa investime në Azinë Qendrore, Kinë dhe Amerikën Veriore. Ndërkohë Bankers Petroleum operon prej disa vitesh në vendin tonë. Ajo zotëronte vendburimet e pasura me naftë në Patoz Marinzë, Kuçovë dhe disa zona të tjera.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button