AP: Trump dhe Rubio shqyrtojnë shkarkimin e ambasadores amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle
Vendimi pritet këtë javë, pas festës së Columbus Day; mediat greke citojnë Associated Press
ATHINË – Associated Press raporton, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, se presidenti Donald Trump dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio po shqyrtojnë shkarkimin e ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pas një serie raportimesh për sjellje të papërshtatshme dhe ndoshta të paligjshme, para dhe gjatë mandatit të saj në Athinë.
Zyrtari tha se Trump dhe Rubio janë “extremely pissed off” (jashtëzakonisht të zemëruar) nga sjellja e raportuar, dhe vendimi pritet këtë javë, pas festës së Columbus Day të hënën. Lajmi, siç njofton AP, u publikua mbrëmjen e së dielës dhe u mor menjëherë nga mediat greke newsit.gr, protothema.gr dhe skai.gr, të cilat e raportuan mes orës 21:05 dhe 22:05, duke cituar agjencinë amerikane.
Rubio, i cili vizitoi Athinën javën e kaluar, më 7 tetor, e kishte mbrojtur më herët Guilfoyle-n si “ambasadore të fortë”, por pas daljes së raporteve të reja refuzoi të komentonte publikisht, raporton AP.
Wall Street Journal ka publikuar një seri artikujsh mbi ambasadoren: sipas raportimit të gazetës, ajo ka kërcënuar një zyrtar grek, ka marrë dhurata dhe shërbime të papërshtatshme, si dhe ka ofruar të përdorë ndikimin e saj në administratë në këmbim të pagesës së një fature të madhe kreditore. TMZ raporton se bëhet fjalë për një borxh prej 100 mijë dollarësh në American Express të donatorit Eric Deters.
Guilfoyle nuk është përgjigjur vetë për këto raportime; avokati i saj ka deklaruar se ajo nuk ka bërë asgjë të gabuar. Sipas zyrtarit të cituar nga AP, vendimi final për të ardhmen e saj në post pritet brenda javës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.