‘Baby Gang’, si u parandalua përleshja me thika mes të miturve në Tiranë
Policia ka parandaluar një konflikt masiv mes disa grupeve të miturish në Tiranë, konflikt që kishte nisur në rrjetin social TikTok dhe që rrezikonte të përshkallëzohej në një përleshje me përdorimin e armëve të ftohta.
Detaje të reja janë bërë të ditura nga shefi i Komisariatit nr. 6 për Euronews Albania. Sipas tij, hetimet zbuluan se prej disa ditësh dy grupe të miturish, të identifikuara si grupi i Selitës dhe ai i Kombinatit, po tentonin të organizonin një takim për t’u “sqaruar”, por përballja rrezikonte të përfundonte në konflikt fizik.
Në kuadër të kontrolleve të kryera nga uniformat blu, janë sekuestruar disa thika. Fillimisht, policia sekuestroi pesë armë të ftohta, ndërsa gjatë vijimit të kontrolleve u gjetën edhe mjete të tjera të ngjashme.
Për këtë rast janë proceduar në gjendje të lirë 28 të mitur, të moshave nga 13 deri në 17 vjeç.
Hetuesit kanë zbardhur edhe motivet e konfliktit, të cilat, sipas burimeve të policisë, kanë qenë të natyrës banale. Nga komunikimet e administruara gjatë hetimit dyshohet se të miturit ishin përgatitur që në përleshje të përdornin jo vetëm thika, por edhe kokteje molotov.
Rasti ka ngritur sërish shqetësimin për përfshirjen e të miturve në konflikte dhe veprimtari kriminale. Sipas statistikave të Prokurorisë së Përgjithshme, fenomeni ka shënuar rritje vitet e fundit.
Një nga rastet më tragjike ishte ai i 14-vjeçarit Martin Cani, i cili humbi jetën pas një konflikti të ngjashëm mes të miturve.
Autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar të plotë rrethanat e konfliktit, mënyrën e organizimit të përballjes dhe personat e përfshirë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.