Bashkëpunimi dypalësh dhe siguria, Rama pret ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me Ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar, i cili po kryen një vizitë zyrtare në Tiranë. Përveç takimit me kreun e qeverisë, diplomati i lartë izraelit u prit nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoti, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe zhvilloi homazhe pranë Memorialit të Holokaustit në Tiranë në shoqërinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Gjatë takimit u diskutua mbi avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, sfidat e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet gjeopolitike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Pata kënaqësinë të takohesha sot në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ishte një bisedë e thellë rreth avancimit të marrëdhënieve midis vendeve tona, si dhe rreth situatës në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor.”, shkruajti Sa’ar në rrjetin social X.
Vlerësimi i Izraelit për qëndrimet e Shqipërisë
Përmes një reagimi zyrtar në rrjetin social X, ministri Sa’ar shprehu mirënjohjen e Tel Avivit për pozicionimin e qartë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht sa i përket luftës kundër antisemitizmit dhe aktit të terrorizmit.
Kreu i diplomacisë izraelite vuri në dukje udhëheqjen e kryeministrit shqiptar dhe kontributin e tij në ruajtjen e marrëdhënieve tradicionale miqësore mes dy kombeve.
“Kryeministri Rama e ka udhëhequr vazhdimisht Shqipërinë për 13 vjet dhe, sipas mendimit tim, është një nga udhëheqësit më të shquar dhe më të vlerësuar në botë sot. Ai është një zë i qartë dhe i guximshëm në skenën ndërkombëtare.”, thekson Sa’ar në mesazhin e tij.
Mesazhi i plotë i ministrit të Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar në X
Pata kënaqësinë të takohesha sot në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë, @ediramaal. Kryeministri Rama e ka udhëhequr me vazhdimësi Shqipërinë për 13 vjet dhe, sipas mendimit tim, është një nga udhëheqësit më të shquar e më të vlerësuar sot në botë. Ai është një zë i qartë dhe i guximshëm në skenën ndërkombëtare. Gjithashtu, është një mik i palëkundur i Izraelit, i cili ka qëndruar pranë nesh në kohë sfiduese. Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e tij ndaj sigurisë së Izraelit dhe qëndrimin e tij të vendosur kundër antisemitizmit dhe terrorizmit. Kjo ishte një bisedë e thellë rreth avancimit të marrëdhënieve midis vendeve tona, si dhe rreth situatës në Lindjen e Mesme dhe në Ballkanin Perëndimor. Faleminderit, Edi, për miqësinë tënde të vërtetë dhe për miqësinë e thellë të Shqipërisë me Izraelin!
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.