Begaj në 20-vjetorin e Eurorajonit të Adriatikut dhe Jonit: Bashkëpunimi rajonal është faktor kyç për stabilitetin dhe zhvillimin
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 20-vjetorit të Eurorajonit të Adriatikut dhe Jonit, ku vlerësoi rolin e kësaj nisme në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve dhe komuniteteve të rajonit.
Begaj theksoi se ky përvjetor dëshmon vlerën e një ideje që ka arritur të sjellë rezultate konkrete për qytetarët, duke e konsideruar Eurorajonin e Adriatikut dhe Jonit si një shembull të solidaritetit europian dhe të partneritetit të ndërtuar mbi besimin dhe vizionin e përbashkët.
“Ky përvjetor dëshmon vlerën e një ideje. 20-vjetori i Eurorajonit të Adriatikut dhe Jonit tregon se kjo nismë ka dëshmuar se bashkëpunimi nuk ndodh vetëm në tryezat e politikës dhe në marrëveshjet mes shteteve, por ndërtohet më afër qytetarëve, aty ku identifikohen nevoja konkrete dhe jepen zgjidhje që përmirësojnë jetën e përditshme të komuniteteve. Ky Eurorajon është më shumë se një bashkëpunim; ai është një shembull i solidaritetit europian dhe i një Europe që ndërtohet përmes besimit, partneritetit dhe vizionit të përbashkët. Adriatiku dhe Joni shihen si një hapësirë që na bashkon dhe jo që na ndan. Sot, kjo nismë ka krijuar rezultate konkrete dhe ka forcuar lidhjet mes popujve tanë”, tha Begaj.
Presidenti nënvizoi se Eurorajoni duhet të shihet si një hapësirë që bashkon popujt, duke shtuar se gjatë dy dekadave ka kontribuar në forcimin e lidhjeve mes vendeve pjesëmarrëse.
Duke u ndalur te sfidat aktuale, Begaj theksoi se në kushtet e tensioneve gjeopolitike, sfidave ekonomike dhe transformimeve teknologjike, aftësia për të bashkëpunuar po bëhet gjithnjë e më shumë një faktor përcaktues për suksesin e shoqërive moderne. Sipas tij, bashkëpunimi rajonal nuk është më një element dytësor, por një faktor kyç për stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin europian.
Begaj tha se një nga arritjet më të rëndësishme të kësaj nisme është aftësia për të kthyer mundësitë europiane në përfitime konkrete për komunitetet rajonale.
“Jetojmë në një kohë kur siguria, stabiliteti dhe zhvillimi nuk mund të merren të mirëqena. Përballë tensioneve gjeopolitike, sfidave ekonomike dhe transformimeve teknologjike, bëhet e qartë se aftësia për të bashkëpunuar do të jetë një faktor përcaktues për suksesin e shoqërive tona. Bashkëpunimi rajonal nuk është më dytësor, por një faktor kyç i stabilitetit dhe zhvillimit. Ai krijon më shumë mundësi dhe sjell integrim. Eurorajoni ka luajtur një rol të veçantë duke krijuar ura bashkëpunimi mes institucioneve të ndryshme dhe jo vetëm mes qeverive”, tha ai.
Duke iu referuar procesit të integrimit europian të Shqipërisë, Kreu i Shtetit nënvizoi se nisma të tilla ndihmojnë vendin jo vetëm të afrohet me standardet e Bashkimit Europian, por edhe të forcojë kulturën e bashkëpunimit, koordinimit dhe solidaritetit.
“Një nga meritat e Eurorajonit është aftësia për të kthyer mundësitë europiane në përfitime konkrete për komunitetet rajonale. Për Shqipërinë, që ndodhet në një fazë vendimtare të integrimit europian, nisma të tilla kanë një vlerë të veçantë. Ato na ndihmojnë jo vetëm të afrohemi me standardet europiane, por edhe të ushtrojmë në praktikë kulturën e bashkëpunimit, koordinimit dhe frymën e solidaritetit mbi të cilën është ndërtuar vetë Bashkimi Europian. Marrja e presidencës së Eurorajonit është domethënëse për Shqipërinë dhe një mision për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin rajonal”, tha Begaj.
Qarku i Tiranës, në cilësinë e mbajtësit të Presidencës së Eurorajonit të Adriatikut dhe Jonit, priti përfaqësues të rajoneve të hapësirës Adriatiko-Joniane nga Italia, Sllovenia, Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Greqia dhe vende të tjera partnere.
Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit në kuadër të projekteve europiane, me pjesëmarrjen e organizatave rinore, universiteteve, dhomave të tregtisë dhe industrisë, bashkive dhe rajoneve të përfshira në nismat e përbashkëta të zhvillimit. Diskutimet u përqendruan te zgjerimi i partneriteteve rajonale, nxitja e projekteve ndërkufitare dhe krijimi i mundësive të reja për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor në hapësirën Adriatiko-Joniane.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.