BRUKSEL- BE propozon trefishimin e forcave të Frontex-it pas krizës së emigracionit në Ceuta
BRUKSEL, 27 tetor /ATSH-DPA/– Komisioni Evropian ka propozuar pothuajse trefishimin e personelit të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, duke e çuar numrin e forcave të saj në 30 mijë efektivë në vitet e ardhshme, pas krizës së emigracionit në enklavën spanjolle të Ceutës.
Sipas propozimit të prezantuar të martën, trupa e përhershme e Frontex-it, e përbërë kryesisht nga oficerë të vënë në dispozicion nga shtetet anëtare të BE-së, do të zgjerohet ndjeshëm. Më parë, objektivi ishte që kjo forcë të arrinte në 10 mijë efektivë deri vitin e ardhshëm.
Komisioni Evropian synon gjithashtu të rrisë rolin e agjencisë në proceset e riatdhesimit të emigrantëve, përfshirë krijimin e një qendre të posaçme koordinimi.
Propozimi parashikon edhe ngritjen e një qendre monitorimi online, e cila do të analizojë përmbajtjet publike në rrjetet sociale për të parashikuar rritjen e flukseve migratore. Kjo nismë vjen pas krizës në Ceuta, ku të paktën 140 persona humbën jetën.
Riatdhesime edhe mes vendeve jashtë BE-së
Sipas propozimit, Frontex-i do të mund të organizojë kthimin e personave nga një vend jashtë Bashkimit Evropian drejt një vendi tjetër jashtë bllokut, nëse ekziston një marrëveshje me shtetin nga i cili do të transferohen.
Kjo masë mund të mbështesë planet e Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare për krijimin e qendrave të riatdhesimit jashtë territorit të BE-së, të njohura si “return hubs”, për personat që nuk mund të kthehen menjëherë në vendet e tyre të origjinës.
Komisioni propozon gjithashtu krijimin e një force reagimi të shpejtë, e cila do të jetë në gjendje të dislokohet në kufijtë e një shteti anëtar brenda 24 orëve në rast krize.
Masat vijnë pas krizës së korrikut në Ceuta, kur rreth 80 mijë persona kaluan brenda një periudhe të shkurtër nga Maroku në enklavën spanjolle.
Propozimi duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së përpara se të hyjë në fuqi.
Frontex-i është përballur vazhdimisht me kritika lidhur me pretendimet se nuk garanton në mënyrë të mjaftueshme të drejtat e emigrantëve, veçanërisht në rastet e kthimeve të detyruara në kufijtë e Bashkimit Evropian.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.