Bushati: Edhe sikur 2 milionë shqiptarë të dalin në shesh, qeveria nuk e jap dorëheqjen
I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, analisti Andi Bushati komentoi protestën, duke u ndalur te kërkesat e protestuesve dhe reagimi i qeverisë. Bushati tha se edhe nëse në protestë do të dilnin dy milionë shqiptarë, në kushtet aktuale qeveria nuk do ta jepte dorëheqjen, ndërsa theksoi se suksesi i protestës nuk duhet të matet me rrëzimin e Edi Ramës.
“Protesta na ka treguar që me qeverinë Rama në veçanti dhe me këtë klasë politike në përgjithësi, njerëzit janë të stërlodhur. Në këtë vend ka një pakënaqësi ekstreme. Është një masë e stërmadhe shqiptarësh që kanë kuptuar që mjaft është mjaft dhe me këtë regjim nuk shtyhet më, sepse jeta e tyre po bëhet më keq. Dhe në këtë kuptim, pavarësisht nga sasia e ditëve që dalin, protesta e ka arritur qëllimin. Kërkesat janë drejtuar ndaj Ramës. Çfarë ndodh në vendet demokratike? Liderët, kur shohin që njerëzit janë të pakënaqur me ta, largohen ose presin zgjedhjet dhe largohen me votë. Në këtë vend, ku janë suprimuar zgjedhjet, edhe sikur dy milionë shqiptarë të dalin në shesh, qeveria s’ka pse të japë dorëheqje. Kështu që suksesi i protestës nuk varet nga mënyra si do reagojë qeveria, sepse qeveria dihet që do vazhdojë të vjedhë dhe do vazhdojë, në fund, për të fshehur vjedhjet, të vjedhë votat. Pra, edhe po dolën në shtator dhe po ishin pak, dhe po u bënë aq shumë sa ishin, s’besoj se do kemi mesazh më të madh se ky që është dhënë. Prandaj, protesta, them unë, nuk matet me suksesin e saj me rrëzimin e Ramës. Protesta e pati suksesin, se ndryshe nga diskursi i djeshëm, ku thuhej se njerëzit nuk votojnë për Saliun dhe Qorin, atëherë Rama është më i miri, tani kemi një forcë njerëzish që thonë që jo, Rama, që nuk ishte më i miri, por është më i keqi dhe i pari që ne nuk e duam të vendosë për jetën tonë. Kaq ka qëllim protesta. Qëllimet e tjera i përmbushin revolucionet. Nuk mund të bëhet me protestë”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.