David Fincher: «Cliff Booth» mund të jetë filmi im i fundit
Regjisori 64-vjeçar e pranoi në podcastin «The Big Picture» se prioritetet i kanë ndryshuar pas më shumë se katër dekadash pas kamerës, ndërsa filmi i tij me Brad Pitt po shfaqet në IMAX para debutimit në Netflix më 23 dhjetor.
David Fincher po mendon seriozisht që bashkëpunimi i tij më i fundit me Brad Pitt të jetë edhe filmi i tij i fundit artistik, siç njofton TheWrap. Deklaratën e bëri në podcastin “The Big Picture” të The Ringer, ku fliste për regjinë e “The Further Mis-Adventures of Cliff Booth”, vazhdimi i shkruar nga Quentin Tarantino i filmit “Once Upon a Time… in Hollywood”.
«Me gjithë seriozitetin, mund ta shoh këtë si filmin tim të fundit. Jo sepse e urreva apo sepse njerëzit nuk e kuptuan, por, e dini, jam 64 vjeç. Dhe bëj regji që kur isha 20 vjeç», tha Fincher. Ai shtoi se prioritetet i kanë ndryshuar dhe janë zgjeruar me kalimin e viteve, ndërsa nuk ka më durimin e dikurshëm për sakrificat që kërkon një prodhim i madh kinematografik.
Regjisori kritikoi ashpër industrializimin e procesit të bërjes së filmave, duke e quajtur atë «shërbimi më i keq që i është bërë ndonjëherë kinemasë». Për të, tregimi mbetet një gjë intime, që nuk mund të prodhohet si në një linjë montimi. Edhe ky film kërkoi ditë xhirimi 12-orëshe, ndërsa Fincher tha se nuk dëshiron më të punojë më shumë se 10 orë në ditë.
Fincher pranoi edhe përdorimin e inteligjencës artificiale në postproduksion, për përshtatjen e lëvizjeve të buzëve kur interpretimi pamor dhe ai zanor vinin nga dublime të ndryshme. Sipas tij, teknologjia u përdor si mjet fleksibiliteti për montazhierët, jo për të zëvendësuar njerëzit — në një kohë kur përdorimi i AI-së gjenerative në film po shkakton reagime të forta kritike.
Filmi zhvillohet në vitin 1977, tetë vjet pas ngjarjeve të filmit të Tarantinos të vitit 2019. Brad Pitt rikthehet në rolin e Cliff Booth, stuntman-it që kthehet në “fikser” të Hollywood-it, rol për të cilin fitoi Oscar. Në film luajnë edhe Elizabeth Debicki, Scott Caan, Carla Gugino, Yahya Abdul-Mateen II dhe Peter Weller. Shfaqja ekskluzive dyjavore në IMAX nisi më 25 nëntor, ndërsa debutimi në Netflix është planifikuar më 23 dhjetor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.