Kosova

Djegia e paralajmëruar e tyrbes në Pejë natën e sulmeve në Paris [VIDEO]

Derisa terroristët e ISIS’it po vrisnin njerëz të pafajshëm në Paris, në Kosovë iu vu flaka një objekti fetar të sektit “shiit” që po ashtu është i persekutuar i ISIS’it në vazhdimësi. Një hulumtim i Express në dosjet e më hershme të Prokurorisë, gjen se ataku ndaj këtij objekti, ishte së paku i paralajmëruar nga një imam i arrestuar për terrorizëm dhe i hetuar për dëmtim varrezash, derisa vetë Prokuroria nuk ka e mohuar këtë pistë hetimesh.

Vetëm pak orë pasi që populli francez po përballej me kamikazët dhe terroristë tjerë të Shtetit Islamik të Irakut dhe Shamit (ISIS), që në Paris vranë 130 persona, në Kosovë, një objekt i sektit “shiit” të Islamit morri flakë.

Më 14 nëntor, rreth orës 3:30 të mëngjesit tyrbja “Gjylfatyni” në Pejë, një qytet që përshkruhet si një qendër e lëvizjes politike islamike të “wahabive” u dogj po thuajse tërësisht edhe përkundër intervenimit të zjarrfikësve për ta shpëtuar këtë objekt të vjetër mbi 400 vjet, që u ndërtua në shenj respekti të një femre.

Prokuroria kosovare nuk pranon të ndajë detaje të hetimit të këtij rasti që aktualisht është i klasifikuar si zjarr-vënie, por një hulumtim i Gazetës Express gjen se veprime kundër këtij objekti qenë paralajmëruar shumë kohë më parë dhe ato paralajmërime tashme ekzistojnë në dosjet e Prokurorisë në raste të tjera penale të dhunimit të trashëgimisë fetare që shkon kundër qëndrimeve të lëvizjes “wahabiste” dhe interpretimeve radikale të bazuar në “wahabizëm” tashmë të adaptuara nga ISIS’i.

Në rastin e shkatërrimit të varrezave në “Tahtali Xhami” në Pejë, dëshmitarët e rastit do të dorëzonin edhe një seri bisedash të një grupi të mbyllur në “Viber” të imamëve pejanë, ndër të tjera edhe komentet e krye-imamit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Pejë, Enes Goga, që sipas konfirmimeve të Prokurorisë për Express në vitin 2014, ky i fundit ishte nën hetime si i dyshuar në këtë rast. Ai dyshohej për veprën penale të “dëmtimit të varrezave dhe kufomave”, varreza këto të kohës së Perandorisë Otomane që janë të vjetra përafërsisht sa tyrbja “Gjylfatyni”, tashmë e djegur.

“Vetëm tyrbedarët nuk është se ata e dinë që tyrbet ne i kem siklet një e kemi çrrënjos bile ajo s’ka qenë kurrë e tillë por e shpifur”, komenton në këtë grup të mbyllur Enes Goga me numrin e telefonit që të njëjtin ende e ka aktiv në “Viber”.

Në këto biseda që janë pjesë e dosjes së Prokurorisë e që i posedon Express, derisa Enes Goga thotë që “Edhe një(tyrbe) ka mbet kismet (duke iu referuar tyrbes “Gjylfatyni” në Pejë)”, një tjetër person pjesë e grupit i kujton Gogës se tyrbet janë të mbrojtura.

I kontaktuar nga Express në të njëjtin numër me të cilin i ka bërë këto komente, imami Enes Goga ka refuzuar që të komentoj, por nuk i ka mohuar që këto komente ishin bërë nga ai.

Enes Goga është njëri nga 11 imamët e BIK’ut, bashkësi fetare e drejtuar në mënyrë të kontestuar për mbi 10 vite nga Naim Tërnava, një ish-zëvendësministër i Hashim Thaçit në Qeverinë e Përkohshme. Goga pas një paraburgimi të shkurtër u lirua, por Prokuroria ende nuk ka njoftuar as për mbyllje të hetimeve kundër tij, por ende nuk e ka publikuar ndonjë njoftim për ngritje të aktakuzës së kundër tij, derisa ai po ndiqet penalisht së paku për gjuhë të urrejtjes.

Në një raport të inteligjencës ndërkombëtare që operon në Kosovë të publikuar vitin e kaluar nga Gazeta Express, Goga përshkruhet si njëri nga udhëheqësit e lëvizjes “wahabiste” në Pejë që merret me krime nga haraçi e deri te trafikimi i drogës dhe që ka pasur edhe kampe rekrutimi në këtë regjion kufitar me Malin e Zi.

Enes Goga në fjalimet e tij publike në xhami dhe nëpër mediat islame shquhet për mos-durim të fuqishëm kundër sektit “shiit” deri në akuza kundër liderë të tyre në Kosovë si bashkëpunëtorë të UDB’së. Sekti “shiit” është nën sulme të salafistëve dhe grupeve terroriste, në mënyrë masive, që nga viti 2004 ku një valë e re e sulmeve vetëvrasëse kundër xhamive të tyre në Irak do të iniciohej nga Abu Musab al-Zarqawi- themeluesi i ISIS’it i cili i konsideronte “shiitët” të njëjtë me të “pa fetë e perëndimi” dhe “jehuditë”-izraelitët. Madje edhe Osama Bin-Laden i “Al-Kaida’së” kishte qenë kundër kësaj lufte brenda sekteve islame, por organizata terroriste ISIS që morri përsipër sulmet në Paris ende vazhdon ti qëndroj besnike kësaj linje- luftë deri në zhdukje të “shiitëve”.

“Shiitët” në Kosovë që njihen më shumë si pasuesit e “tarikateve” dhe “dervishëve” kanë qenë të sulmuar në ligjëratat me gjuhe urrejtje nga shumë imamë të BIK’ut. Ata tashmë e kanë themeluar “Bashkësinë e Tarikateve të Kosovës” që lyp të pavarësohet nga BIK’u dhe arsyet i patën bërë publike në një reportazh të Express’it duke thënë që “ata ishin përzënë nga ekstremistët e BIK’ut”.

Derisa “shiitët” janë objektiv për persekutim i ISIS’it dhe lidhja ISIS-Kosovë vazhdon të jetë e fuqishme. Këtë vit Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në një intervistë në gazetën “Express”, e pranoi se numri i kosovarëve pjesëmarrës në xhihad në Siri dhe Irak ( në ISIS dhe Xhabhatu Al-Nusra) është mbi 300. Kjo e bën Kosovën shtetin e katërt në botë që eksporton xhihadistë në grupet terroriste në krizën e Sirisë dhe Irakut. Në mesin e këtyre xhihadistëve, ku përfshihen edhe imamë të BIK’ut, janë disa nga më të tmerrshmit në ISIS, nga at që vrasin fëmijë e deri tek ata që vrasin njerëz burgosur me armë antitank janë shqiptarë të Kosovës

Prokuroria nuk e përjashton asnjë pistë hetimesh

Të kontaktuar nga Gazeta Express Policia në regjionin e Pejës ata nuk kanë pranuar që të ndajnë shumë të dhëna për hetimin.

“Të gjitha veprimet policore dhe hetimore janë ndërmarrë duke e njoftuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Pejë, deri më tani nuk ka ndonjë të dyshuar e që hetimet në konsultim me prokurorin e shtetit janë në fazën e grumbullimit të dëshmive dhe informacioneve në lidhje me rastin”, thuhet në përgjigjet e Policisë për Express, por asnjë emër i të dyshuarve.

Të pyetur nga Express për lidhshmërinë në rastin e shkatërrimit të varrezave ku Enes Goga ishte në mesin e të dyshuarve, në Polici nuk kanë komentuar konkretisht. “Në lidhje me shkatërrimin e varrezave në ‘Tahtali Xhami’ në Pejë, nga ana e prokurorit të shtetit rasti në fjalë është iniciuar dhe kualifikuar “ Dëmtim i varrezave dhe kufomave’ , rast i cili ka ndodhur me datën 14.11.2013”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Por as Prokuroria kosovare nuk ka ofruar shumë të dhëna, dhe për këtë thotë s epo pret punën e Policisë. “Rasti është nën hetime pranë njësitit të hetimeve në Pejë dhe ende nuk është dorëzuar kallëzimi penal në prokurori, qoftë kundër kryesve të panjohur apo kryesve të njohur”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Express.

Te pyetur për lidhjen eventuale në mes të shkatërrimit të varrezave në “Tahtali Xhami” në Pejë dhe djegies së tyrbes “Gjylfatyni”, Prokuroria nuk ka mohuar ndonjë lidhje.

“Sa i përket kualifikimit juridik të kësaj vepre asnjë pistë e hetimeve për momentin nuk është e përjashtuar, mirëpo se cilat janë ato pista të hetimeve tani nuk mund të deklarohemi për shkak të ruajtjes së hetimeve preliminare”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë për Express

Heshtja e BIK’ut dhe komenti i menjëhershëm i Enes Gogës

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës bërë publike për Express më datën 14 nëntor 2015 (nata e suleve terroriste të ISIS në Paris) rreth orës 03:30 minuta është raportuar për një rast të ‘zjarr-vemjes‘ të ndodhur në rr.”Adem e Bakir Gjuka”në Pejë , përkatësisht në tyrben e ‘Xhylfatyni’. Tyrbja e sektit “shiit” u dogj, por aty shpëtoi gati e paprekur xhamia e sektit “sunnij” (shumicës në fenë islame, dhe në Kosovë po ashtu) me të njëjtin emër që ishte e ngjitur me tyrben.

Jusuf Lata, imami i kësaj xhamie në një prononcim në “Klan Kosova” e përshkroi këtë akt si të papranueshëm duke e dënuar atë, por drejtuesit e BIK’ut në Prishtinë deri tash nuk kanë komentuar në lidhje me këtë rast dhe as reaguar publikisht.

Ata nuk u janë përgjigjur as pyetjeve të Express në lidhje me heshtjen e tyre karshi dëmtimit të monumentit fetar – tyrbes “Gjylfatyni” në Pejë, që sipas Kushtetutës së BIK’ut konsiderohet pronë e kësaj bashkësie. “Objekte të Bashkësisë Islame janë: xhamitë, mesxhidet, mektebet, ndërtesat arsimore – edukative, administrative, banesat, lokalet afariste, teqetë, tyrbet, hamamet, gasulhanet, varrezat e të tjera”, thuhet në Kushtetutën e BIK’ut.

Por derisa BIK në qendër ka heshtur, krye-imami pejan, Enes Goga ka komentuar po në ditën që ndodhi sulmi në Paris dhe djegia e tyrbes në Pejë. “Një dijetar ka thënë: “Për t’i shërbyer armikut nuk është i domosdoshëm bashkëpunimi me të, mjafton të jesh budalla” .Ataku mbi Gjylfatyn”, ka komentuar Goga në “twitter” pak orë pas djegies se tyrbes, por nuk ka pranuar që të sqaroj tutje.

Gogës do ti duheshin tri ditë për të komentuar për vetë sulmet terroriste në Parisë. “”Nuk ka dëm më të madh ndaj Islamit, muslimanëve, qendrave islame dhe thirrësve të Islamit në Evropë sesa ajo që ndodhi në Francë”DrH Sebt”, ka shkruar më 17 nëntor Enes Goga në “twitter”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button