Dogana ia zbulon mbi 13 mijë euro të padeklaruara shoferit në Han të Elezit: kishte thënë se nuk kishte asgjë për të deklaruar
Zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë gjetën 11.980 euro dhe 84.500 denarë maqedonas të fshehura në një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut; mjetet monetare u konfiskuan.
Zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë të Doganës së Kosovës në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit kanë përzgjedhur për kontroll një automjet të tipit Shkoda Superb, me targa të Maqedonisë së Veriut, të drejtuar nga një shtetas i këtij vendi, siç njofton Gazeta Express.
I pyetur nëse kishte diçka për të deklaruar për Doganën, drejtuesi i automjetit është përgjigjur se nuk kishte “asgjë për të deklaruar”.
Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët e Doganës kanë zbuluar 11.980 euro dhe 84.500 denarë maqedonas, të cilat ishin të fshehura dhe nuk ishin deklaruar në përputhje me legjislacionin në fuqi. Vlera e përgjithshme e mjeteve monetare të padeklaruara, pas konvertimit në euro, është 13.353,98 euro. Mjetet monetare janë konfiskuar, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës, të cituar nga Gazeta Express.
Dogana e Kosovës rikujton se, sipas nenit 33, paragrafit 1, të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10.000 euro apo më shumë, ose kundërvlerën në valuta të tjera, duhet të deklarojë pranë Doganës së Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.