E premtja mes dy zhvillimeve! Protestë ndërkohë Rama thërret drejtuesit politik dhe ministrat
Kjo e premte pritet të ketë dy zhvillime politike në Tiranë. Në orën 17:30, kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të zhvillojë një takim me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ndërsa në të njëjtën kohë protestuesit dhe aktivistët që kundërshtojnë qeverinë kanë bërë thirrje për tubim përpara selisë rozë.
Takimi i Edi Ramës me ministrat dhe drejtuesit politikë nuk do të zhvillohet në selinë e Partisë Socialiste, por në një tjetër ambient në Tiranë.
Thirrja për protestë u bë në përfundim të protestës së 89-të në Tiranë, e zhvilluar këtë të enjte. Aktivistët dhe qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Protestuesit u ndalën përpara Kryeministrisë, ku u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa u kërkua edhe dorëheqja e tij. Pas fjalimeve, marshimi vijoi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si “Ju erdhi fundi!” dhe “Rama në burg, Berisha në burg!”.
Në përfundim të tubimit, një prej aktivisteve u bëri thirrje qytetarëve që të rikthehen sot përpara selisë së Partisë Socialiste, duke iu referuar mbledhjes së socialistëve që ishte paralajmëruar për orën 17:30.
“Nesër në orën 17:30 PS mblidhet te selia për mbledhje. Të shkojmë atje me vezë dhe të protestojmë e t’u tregojmë se nuk na përfaqësojnë”, deklaroi aktivistja gjatë protestës së së enjtes.
Megjithatë, sipas informacionit të përditësuar, mbledhja e Edi Ramës me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve nuk do të zhvillohet në selinë e Partisë Socialiste.
Takimi vjen pas mbledhjeve dyditore të socialistëve në Pogradec dhe mbledhjes së qeverisë të zhvilluar të enjten. Në fokus pritet të jenë orientimet politike dhe organizative të Partisë Socialiste në funksion të aktivitetit të saj në territor.
Rama pritet t’u japë drejtuesve politikë udhëzimet për takimet që duhet të nisin në zonat e tyre elektorale, me synim prezantimin dhe shpjegimin e dokumenteve strategjike të mazhorancës, “Besën” dhe “Praninë Besnike”.
Në Pogradec socialistët prezantuan edhe platformën “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë dhe të ndjekë ankesat e qytetarëve.
Sipas planit të prezantuar nga PS-ja, problematikat e ngritura nga qytetarët duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale institucionin ku ndodhet kërkesa e tyre.
Platforma parashikohet të mbështetet në dy mekanizma. “Flamingo Albania” do të shërbejë për mbledhjen e ankesave dhe shqetësimeve të qytetarëve, ndërsa “Radar” do të gjurmojë rrugën që ndjek kërkesa në ministri, bashki dhe institucione të tjera.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.