Egnatia më e shtrenjta, Laçi skuadra më e re! Kampionati ka një vlerë prej 53.43 milionë eurosh
Kategoria Superiore ka një vlerë tregu prej 53.43 milionë eurosh. Kjo është shifra që rezulton nga vlerësimet e platformës së specializuar “Transfermarkt” për dhjetë skuadrat e kampionatit shqiptar.
Një tregues interesant për dimensionin ekonomik të futbollit në vend, por edhe për potencialin e lojtarëve që aktivizohen në elitë. Në krye të renditjes qëndron Egnatia.
Kampionët shqiptarë vlerësohen me 7.8 milionë euro dhe janë skuadra më e shtrenjtë e kampionatit. Rrogozhinasit kanë 28 futbollistë në organikë, me një moshë mesatare prej 25.7 vitesh. Vlera mesatare e një lojtari arrin në 278.6 mijë euro, më e larta mes të gjitha skuadrave. Në vendin e dytë pozicionohet Dinamo, me një vlerë prej 7.1 milionë eurosh.
Blutë kanë 30 futbollistë, me moshë mesatare 25.8 vjeç, ndërsa 14 prej tyre janë të huaj. Podiumin e plotëson Partizani, i vlerësuar me 6.35 milionë euro. Të kuqtë kanë organikën më të madhe, me 31 futbollistë, dhe një moshë mesatare prej 24.2 vitesh. Pas tri skuadrave të para renditet Teuta, me 5.93 milionë euro, e ndjekur nga AF Elbasani me 5.68 milionë euro.
Tirana është në vendin e gjashtë, me 5.38 milionë euro. Bardheblutë kanë 25 futbollistë në përbërje, 15 prej të cilëve janë të huaj, duke regjistruar numrin më të lartë të lojtarëve të huaj në kampionat.
Në pjesën e poshtme të renditjes gjendet Laçi, me 4.05 milionë euro. Megjithatë, kurbinasit spikasin për një tjetër statistikë. Janë skuadra me moshën mesatare më të ulët në Superiore, vetëm 21.7 vjeç.
Pas tyre vijnë Vllaznia me 3.98 milionë euro, Skënderbeu me 3.7 milionë euro dhe Vora me 3.48 milionë euro, kjo e fundit në fund të klasifikimit.
PANORAMASPORT.AL



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.