Boshatiset infermieria e Vllaznisë, gati edhe Kastrati
Pushimi i kampionatit nuk ka ndryshuar ritmin e punës te Vllaznia, me kuqeblutë që vijojnë normalisht përgatitjet në prag të ndeshjeve të ardhshme. Edhe pse këtë javë nuk do të ketë një sfidë zyrtare për shkodranët, stafi teknik ka vendosur që skuadra të mos ndërpresë aktivitetin, duke shfrytëzuar këtë periudhë për të punuar në disa aspekte të rëndësishme.
Megjithatë, intensiteti i seancave stërvitore nuk ka qenë në nivelet më të larta të mundshme. Kjo edhe për faktin se pushimi i kampionatit i jep mundësinë ekipit të menaxhojë më mirë ngarkesat fizike, por edhe të përqendrohet te korrigjimi i defekteve të shfaqura gjatë kësaj periudhe të sezonit. Një tjetër element pozitiv për stafin teknik është gjendja e grupit, i cili aktualisht është i plotë.
Në infermieri nuk ndodhet asnjë futbollist kuqeblu, një lajm që padyshim gëzon trajnerin Csaba Laszlo, i cili ka mundësinë të punojë me të gjithë lojtarët në dispozicion dhe të përgatisë alternativat më të mira për vazhdimësinë.
Në këtë panoramë pozitive, vëmendje të veçantë merr edhe situata e Lirim Kastratit. Anësori kosovar po angazhohet tashmë plotësisht me pjesën tjetër të skuadrës, pas një periudhe të gjatë mungese për shkak të dëmtimit. Një zhvillim që shton optimizmin për rikthimin e tij në dispozicion të plotë të trajnerit. Madje, gjasat janë që Kastrati të marrë edhe disa minuta aktivizim në miqësoren e së shtunës kundër Besëlidhjes.
Një test që do t’i shërbejë stafit teknik për të vlerësuar më nga afër gjendjen e tij fizike, ritmin dhe aftësinë për t’u rikthyer gradualisht në konkurrencën për një vend në formacion.
Për Vllazninë, kjo periudhë pushimi synon të shërbejë jo vetëm për të ruajtur gjendjen fizike të futbollistëve, por edhe për të përmirësuar elementet që kanë nevojë për korrigjim. Ndërkohë, rikthimi i mundshëm i Kastratit përbën një lajm pozitiv, pasi kuqeblutë mund të fitojnë një tjetër alternativë të rëndësishme për krahët e sulmit në vazhdimësinë e sezonit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.